Tabela e re e pagave për punonjësit e policisë

-Miratohet struktura e re e pagave për punonjësit e policisë dhe punonjësit e njësive të mbrojtjes nga zjarri dhe shpërthimet. Paga bazë për këtë kategori nis nga 38 mijë lekë në muaj deri në 118 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, shtesa mbi bazën varion nga 6 mijë lekë në muaj deri në 8 mijë lekë në muaj. Tabela e pagës sipas gradës, e cila nis nga agjent deri te drejtuesi i parë, ka hyrë në fuqi dje pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërkohë efektet financiare i nisin nga fillimi i gushtit. Pritet që shtesat mbi pagën për punonjësit me uniformë të jepen në muajin shtator. Efektet financiare për paga e sigurime shoqërore që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga fondi për politikat e pagave për vitin 2013 dhe vendimi do të zbatohet nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave.
Punonjësit e policisë
Ndryshimi i pagave ka prekur punonjësit e Policisë së Shtetit dhe sipas strukturës së re, rroga minimale në Policinë e Shtetit është 39000 mijë lekë të rinj. Me këtë pagesë do të trajtohen efektivët që kanë gradën nëninspektor. Sipas tabelës së re të pagave, që nis efektet financiare në 1 gusht, paga e gradës inspektor bëhet 42500 mijë lekë të rinj, grada kryeinspektor ka pagën 47500 lekë të rinj, nënkomisar 57000 lekë të rinj, komisar 63000 mijë lekë të rinj dhe kryekomisar 84000 mijë lekë të rinj. Ndryshimet prekin edhe gradat e larta, konkretisht drejtuesit do marrin pagën 95500, drejtuesi i parë ka pagën 99000, zv.drejtori i përgjithshëm 110000 dhe drejtori i përgjithshëm do të ketë pagën 119500.
Rritja e pagës për ushtrinë dhe SHISH-in
Rritja e pagës për punonjësit e policisë është bërë në mënyrë të diferencuar duke përfshirë një rritje mesatare prej rreth 1.47%. Sipas vendimit që miratoi qeveria në ikje për punonjësit e SHISH, është miratuar një rritje page prej 1.05%. Rritje page kanë përfituar edhe Forcat e Armatosura. Ne vendim thuhet se paga bazë për gradë të ushtarakëve detarë profesionistë rritet mesatarisht 3.76%. Paga bazë për gradë e nënoficerëve rritet mesatarisht 2.68%, ndërsa paga bazë për gradë të oficerëve rritet mesatarisht 1.89%. Rritja e pagës do të prekë rreth 9600 ushtarakë aktivë të forcave të armatosura me një rritje mesatare të pagës prej 2.70%. Ndërkohë janë rreth 2970 punonjës të Policisë së Burgjeve që përfitojnë sipas gradës rritje page. Tashmë është përllogaritur rritja e pagës edhe për punonjësit e autoritetit të Aviacionit Civil. Sipas vendimit, rritja e pagave për nëpunësit e nivelit mesatar paga ngrihet 3% dhe për nivelin e lartë shtesa është mesatarisht 0.8%. Punonjësit e Policisë së Zjarrfikësve do të përfitojnë një rritje page sipas gradave mesatarisht në masën 1.95%. Për punonjësit, oficerët dhe nënoficerët e Gardës shtesa e pagës sipas gradës do të jetë rreth 2.47%. Ndërkohë, të gjithë punonjësit e administratës të që disponojnë master shkencor përfitojnë 14 mijë lekë rritje page, ata që kanë master profesional përfitojnë 11 mijë lek rritje, ndërsa ata që kanë diplomën Bachelor përfitojne 10 mijë lek rritje page.
Qeveria e re
Plani i socialistëve për pagat e policisë
Ekspertët e Partisë Socialiste paralajmërojnë një strukturë të re për pagat e punonjësve të policisë. Kështu, për inspektorin e policisë paga do jetë 57 mijë lekë, për kryeinspektorin do të jetë mbi 63 mijë lekë, për nënkomisarin paga do të bëhet 72.7 mijë lekë, për komisarin 80 mijë lekë, për kryekomisarin paga do të jetë 88 mijë lekë. Ndërkohë që pagat e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, ekspertët theksojnë se brenda këtij mandati, drejtuesi do të paguhet 112 mijë lekë, drejtuesi i parë do të paguhet 113 mijë lekë, zëvendësdrejtori do të ketë një pagë 128 mijë lekë, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të marrë një pagë prej 147 mijë lekësh. Një prioritet tepër i rëndësishëm i qeverisë së majtë do jetë rikthimi i dinjitetit të policisë dhe kthimi i saj tek qytetarët. Për 300 ditët e para do të vendoset rendi dhe qetësia në vend, ndërsa do të kenë hapësirë të gjithë për të qenë kontributorë. Programi qeverisës i majtë për rendin e sigurinë parasheh dhe mundësinë për të konkurruar në Policinë e Shtetit në mënyrë transparente për çdo qytetar të këtij vendi, i cili është efektiv apo është i larguar dhe provon se ka aftësitë dhe integritetin moral për t’u bërë pjesë e trupës së policisë. Partia Socialiste ka premtuar që me ardhjen në pushtet do të punësojë të gjitha gratë e policëve të vrarë në krye të detyrës dhe kjo është pika e dytë. Ndërkohë, që përkujdesja për arsimimin e të gjithë jetimëve të luftës së shtetit me krimin është dhe prioriteti i tretë në programin qeverisës të socialistëve. Sipas programit të PS-së, çdo polic, çdo inspektor, çdo komisar, çdo drejtues, çdokush që nën uniformën blu merr përsipër misionin e madh dhe betohet për të garantuar individin dhe pronën, në këtë vend, me kontributin e shoqërisë do të ketë siguracionin e jetës, nga i cili do të përfitojë familja e tij, në rast se përballja me krimin do të jetë fatale për atë vetë.Ndryshimi
Nga sot nuk tatohen pagat deri në 30 mijë lekë
Hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore për tatimin mbi të ardhurat. Në bazë të ligjit të ri çlirohen nga tatimi mbi të ardhurat pagat deri ne 30 mijë lekë. Nga ndryshimet e fundit në ligjin për të ardhurat personale do të përfitojnë rreth 220 mijë persona, ndërsa efekti negativ në buxhetin e shtetit pritet të jetë 2.5 miliardë lekë. Ligji parashikon mostaksimin e të punësuarve me të ardhura nga 0-30 000 lekë të cilët më parë taksoheshin me 10% të shumës mbi 10 mijë lekë. Ministria e Financave bën të ditur se me vendimin e heqjes së tatimit mbi të ardhurat personale prej 10% dhe për rrjedhojë të rritjes së rrogës me 10% ose më shumë se një rrogë shtesë në vit, përfitojnë 200 mijë punonjës vetëm nga sektori privat dhe 120 mijë nga sektori jo privat dhe publik si dhe së paku 15 mijë nga i gjithë sektori publik. Deri tani të ardhurat e shqiptarëve janë tatuar sipas skemës së taksës së sheshtë. Në vitin 2007, kur aplikoi taksën e sheshtë, qeveria vendosi që punonjësit me pagë deri në 30 mijë lekë në muaj të mos paguanin tatim mbi të ardhurat për dhjetë mijë lekëshin e parë të rrogës. Kështu, një qytetar që sot merr një pagë minimale, sipas ligjit, nga 21 mijë lekë në muaj, paguan si tatim mbi të ardhurat 1100 lekë në muaj, ose 5.2 për qind të totalit të rrogës së tij. Ndërsa një i punësuar me pagë në kufirin e sipërm të fashës prej 30 mijë lekë në muaj, paguan aktualisht 2 mijë lekë në muaj taksë mbi të ardhurat, ose 6.7 për qind të totalit. Sipas ligjit të ri, përjashtohen nga detyrimi për të paguar tatimin mbi të ardhurat personale: të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ndihmat ekonomike për familjet dhe individët pa të ardhura apo me të ardhura të ulëta sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës. Bursat e nxënësve dhe studentëve, pavarësisht nga burimi i financimit, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale, deri në masën e përcaktuar në dispozitat e legjislacionit dhe dispozitave nënligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë që sanksionojnë bursat e nxënësve dhe studentëve. Po kështu, nuk taksohen shpërblimet e marra për rastet e sëmundjeve apo fatkeqësive, në përputhje me dispozitat e legjislacionit dhe dispozitave nënligjore në fuqi. Këtu përfshihen shpërblimet e dhëna nga punëdhënësi të punësuarve për raste sëmundjesh apo fatkeqësish, por masa e shpërblimit që përjashtohet nga tatimi nuk duhet të kalojë 20% të të ardhurave vjetore nga punësimi i punonjësit përfitues të shpërblimit. Gjithashtu nuk taksohen të ardhurat e përfituara, përfshirë të ardhurat në formë monetare apo në natyrë, nga pronarët si shpërblim për shpronësimet që i bëhen nga shteti për interesa publike. Në çdo rast përjashtimi duhet të bazohet në dokumentacionin ligjor që vërteton natyrën e këtyre të ardhurave. Ndërkaq, për të ardhurat që përjashtohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë, në çdo rast, përjashtimi duhet të bëhet vetëm pasi të jetë depozituar dokumentacioni ligjor (dispozitat e marrëveshjes) që e lejon, si dhe të jenë respektuar procedurat e vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për këtë qëllim. Këtu hyjnë edhe të ardhurat e përfituara, si rezultat i kompensimit financiar, për ish-pronarët dhe ish-të dënuarit politikë. Nga tatimi janë përjashtuar edhe kontributet e bëra nga punëdhënësi për sigurimin e jetës dhe të shëndetit të punëmarrësve dhe përfitimet për dëmshpërblime, të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore.
Shekulli
Add new comment