“Statusi? Varet nga reformat”

Hellmut Hoffmann, ambasadori i ri Gjermanisë në Shqipëri, në intervistën e tij të parë për Top Channel thotë se ai është i surprizuar për mirë të shihte një Tiranë ndryshe nga ajo që kishte përfytyruar, pasi thotë se priste një qytet gri dhe jo plot ngjyra e gjallëri, siç e kishte gjetur.
Ambasadori Hoffmann shprehet se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë tashmë janë ekselente duke theksuar se do të japë kontributin e tij në çuarjen përpara të kësaj marrëdhënieje. Gjermania thotë ai ka një interes të veçantë në të pasurit e një situate stabël në të gjithë Ballkanin dhe për këtë Shqipëria, në këtë aspekt, luan një rol të rëndësishëm.
Sa afër apo larg ndodhet Shqipëria në marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetor kur të mblidhet Këshilli i Ministrave i BE-së?
"Kjo është e vështirë të thuhen prej meje në këtë fazë. Ka vetëm dy javë që kam mbërritur në Tiranë. E gjitha mbetet në duar të shqiptarëve, qeverisë shqiptare, Parlamentit dhe të gjitha institucioneve. Janë një sërë çështjesh, ku progresi është i rëndësishëm, si përshembull shteti ligjor. Eshtë një listë e gjatë dhe nuk dua të futem në detaje. Është e parakohshme për të folur tani. Të presim vendimin e Këshillit të Ministrave në dhjetor. Unë do të dëshiroja të inkurajoj të gjithë shqiptarët, Qeverinë, opozitën dhe gjithë të tjerët të punojnë në këtë drejtim me shumë seriozitet. Ne e kemi mbështetur dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë ndaj këtij procesi ku keni hyrë, por ne do të shikojmë performancën", tha Hoffmann.
Intervistën e plotë të ambasadorit të Republikës Federale Gjermane në vendin tonë Hellmut Hoffmann dhënë gazetarit Muhamed Veliu, mund ta ndiqni ne plote në edicionin qendror të lajmeve në orën 19:30 ne Top Channel.
Top channel
Add new comment