Aleatët, lista Ramës me postet që kërkojnë

-Me afrimin e datës kur qeveria e djathtë do t’ia lirojë vendin së majtës, aleatët e Partisë Socialiste i kanë paraqitur kësaj të fundit pretendimet e tyre për postet me të cilat kërkojnë të shpërblehen. Edhe pse nuk arritën që të marrin poste ministrore, aleatët e vegjël shpresojnë që të marrin poste zv.ministrash dhe drejtimin e disa drejtorive. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se pranë kësaj selie kanë mbërritur një sërë kërkesash nga partitë e vogla të cilat kanë depozituar një listë me institucionet ku mund të ofrojnë burime njerëzore. Një nga kërkesat e mbërritura në zyrën e kryesocialistit Edi Rama, është edhe kërkesa e Partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë. Në vijim të negociatave për bashkëqeverisje, drejtuesit e kësaj force politike i kanë sugjeruar kryeministrit të zgjedhur Edi Rama disa poste të tjera alluis ternative në nivel zv/ministri, Prefekti, Drejtori të Përgjithshme. Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, e cila surprizoi duke i rrëmbyer së djathtës një mandat deputeti në qarkun e Shkodrës, kërkon që të marrë: Prefekt në qarqet e Tiranës, Lezhës, Shkodrës, Durrësit dhe të Elbasanit ku e justifikojnë me numrin e madh të votave dhe kontributin që i kanë dhënë koalicionit të majtë. Gjithashtu, janë sugjeruar edhe 13 drejtori ku PKDSH-ja garanton se ka burime njerëzore të spikatura dhe me integritet për drejtimin e këtyre institucioneve. Në vijim të kërkesës së saj, PKDSHja kërkon që të marrë: Drejtorinë e Përgjithshme të KESH-it, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, Kompaninë e Sigurimeve INSIG, Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, Drejtorinë e Rrugëve, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Drejtorinë e Përgjithshme të QSUT-së, Inspektoriatin Shtetëror të Punës, Inspektoriatit të Kontrollit Ushqimor, Drejtorinë e Përgjithshme të Postave, Drejtorinë e Shërbimit të Provës pranë Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorinë e Shpërndarjes së Librit Shkollor. Në letrën dërguar Ramës, PKDSH-ja shprehet se është e gatshme të paraqesë burime njerëzore të kualifikuara, të përgjegjshme, korrekte dhe me reputacion në shoqëri. Bazuar mbi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshëm, përveç Partisë Socialiste dhe asaj të Lëvizjes Socialiste që ndanë midis tyre postet ministrore, pritet të përfitojnë dhe aleatët e vegjël me poste të niveleve më të ulëta. Platforma e bashkëpunimit, e cila është nënshkruar nga kryetarët e partive të vogla, aleatë të PS-së, fikson edhe një lloj ndarjeje të pushtetit në bazë të numrit të votave. "Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota, dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike", thuhet në platformë
AP në bisedime me PS për disa zëvendësministra
Edhe pse e krijuar vetëm një muaj para datës së regjistrimit në zgjedhje, Aleanca Popullore arriti që të sigurojë rreth 9 mijë vota duke ndihmuar koalicionin e majtë në marrjen e disa mandateve në qarqe të rëndësishme. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, kryetari i kësaj force politike, Artur Dojaka, shprehet se në bisedimet me PS-në për ndarjen e pushtetit po diskutohet për disa vende zv/ministrash dhe për drejtimin e disa drejtorive të rëndësishme. Ndërsa në ato qarqe ku Aleanca Popullore ka marrë rezultate tepër pozitive, drejtuesit e kësaj partie presin që të marrin postin e Prefektit apo të nënprefektit.
Cilat janë postet që ju do të kërkoni në qeverinë “Rama”, pasi ministritë u ndanë midis PS-së dhe LSI-së?
Në harkun e 1 muaji, ne patëm mundësi që të merrnim 9 mijë vota të koncentruara në tre qarqe të Shqipërisë. Për këtë arsye ne patëm mundësinë që në qarkun e Fierit, të nxirrnim deputetin e 9 për Partinë Socialiste që doli vetëm nëpërmjet 3300 votave që mori Nimet Musaj, kandidati jonë për deputet në Fier. Në qarkun e Tiranës deputeti i 16 për PS-në doli nëpërmjet 1900 votave që mori kandidati Arjan Hamiti, përsëri i Aleancës Popullore dhe në qarkun e Elbasanit, deputeti i dytë i LSI-së doli përsëri përmes 2300 votave që mori Erion Softa, kandidati për deputet i Aleancës Popullore. Në këtë qark ne jemi forcë e tretë brenda koalicionit tonë, PS, LSI dhe Aleanca Popullore forcë e tretë. Ndërsa në rang vendi, nga 37 parti politike, pas Partisë Socialiste, ne jemi forcë e 5-të. Kuptohet që me këtë rezultat kaq sinjifikant, ne kemi ato idetë tona sa i përket menaxhimit të qeverisjes, të administratës. Bëhet fjalë për disa vende zv/ministrash dhe për një pjesë tjetër ku ne kemi ekspertët tanë sa i përket drejtimit të administratës në fusha të ndryshme. Do të theksoja, se në qarqet e sipërpërmendura ku kemi arritur rezultate shumë të mira, pretendojmë dhe Prefektë dhe nënprefektë.
Keni pasur gjatë kësaj kohe kontakte me z Rama?
Unë vetë nuk ndodhem në Shqipëri, por pjesëtarë të Aleancës Popullore janë në kontakte intensive me koalicionin në përgjithësi.
Ndonjë ministri më konkretisht?
Nuk do të doja të shprehesha, por i kemi fokusuar së paku dy ministri për të marrë pjesë me zv/ministra dhe kemi lënë të hapur për një të tretë.
Zef Bushati: Duam një zv/ ministër dhe 2-3 drejtori
Një nga aleatët e Partisë Socialiste në këto zgjedhje ishte dhe Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë e drejtuar nga Zef Bushati, ndonëse kjo e fundit për shumë e shumë vite ka qenë në koalicionin e djathtë. Në një prononcim për “Shekullin”, kryetari i kësaj force, Bushati, thekson se shpreson që partia e tij të marrë një post zv/ministri dhe 2-3 drejtorë drejtorish. “Vajtja jonë në koalicion me PS-në e pati një efekt pozitiv, pasi ne folëm për ndryshim. Duke marrë parasysh që ne do të kishim kosto, atëherë ne diskutuam që të mos e marrim fare parasysh çështjen e numrit të votave. Ne ramë dakord si konkluzion që ne do të merrnim një zv/ministër dhe dy-tre drejtorë. Në marrëveshjen tone nuk ka shifra, por ka thjesht bashkëpunim”, thotë Bushati. Sipas tij, Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë nuk e bazon ndarjen e pushtetit vetëm mbi bazën e votave por edhe tek mesazhi i ndryshimit që kjo solli përmes kalimit nga krahu i djathtë në të majtë, duke marrë edhe një kosto për zgjedhje. “Normalisht që kjo rrjedh në kuadër të një marrëveshje që ne kemi firmosur me PS-në. Aleanca Demokristiane erdhi në koalicion jo në të njëjtën periudhë kohe, siç erdhën dhe partitë e tjera. Ato duke qenë me kohë pranë PS-së, kanë diskutuar rreth një marrëveshje të përbashkët për të marrë pjesë në këtë koalicion të madh. Partia Aleanca Demokristiane mori vendimin pothuaj pak ditë para se të fillonte fushata. Ne jemi takuar me një përfaqësi të PS-së. Aleanca Demokristiane nuk kishte se si të firmoste një marrëveshje duke pasur parasysh rezultatin apo numrin e votave. Ishte një kohë e shkurtër për t’ia shpjeguar të gjithë elektoratit pse kaluam nga e djathta në të majtë, por dihej që kontributi jonë nuk do të ishte I vogël, por i madh”, thekson Zef Bushati.
Ne vijojmë të qëndrojmë në koalicion me PS-në
Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, ka pasur një koalicion dhe një marrëveshje parazgjedhore me PS-në. Tani jemi koalicioni i fitores, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Deri tani ne kishim shpresën se do të merrnim sipas marrëveshjes, meqë vetëm dy partitë, PBDNJ dhe PKDSH arritën që të marrin një deputet direkt në zonë pa iu nënshtruar listimit me partitë e tjera. Ne kishim shpresën se do të merrnin një deputet dhe do të jepnim kontributin tonë edhe në qeverisje, pasi edhe ne kemi resurse dhe kemi programet tona që të japim kontribut në këtë qeveri. Meqë PS dhe kryeministri Rama, e panë të arsyeshme që ne të mos jemi pjesë e këtij kabineti, ne shpresojmë që para se të mbarojnë këto katër vite, ne të jemi përsëri pjesë e kabinetit Rama. Gjithsesi, ne vazhdojmë që të qëndrojmë në koalicion, por në këmbim të mosmarrjes së një anëtari në kabinetit në qeverinë Rama, ne kemi paraqitur kërkesat tona të cilat, nëse shihen të arsyeshme nga kryeministri Rama, ne të përfshihemi në poste zv ministrash, në prefektura sipas marrëveshjes, ku në Tiranë kemi kaluar kufirin, por edhe në Shkodër. Gjithashtu dhe në rangje të dyta që janë drejtor drejtorish. Ne e garantojmë qeverinë Rama që kemi resurse dhe kemi njerëz me reputacion të cilët janë të gatshëm që të japin kontributin për një bashkëqeverisje në interes të qytetarëve. Ne i kemi dërguar listën atje, pa kërkuar me shifra dhe me numra, por e kemi lënë në dorë të Partisë Socialiste. Ne nuk jemi për pazare politike, por kërkojmë zbatim të marrëveshjes.
Shekulli
Add new comment