Përgjigje ndaj Nishanit, Braçe: Më tregoni një shqiptar që harxhon 1.2 milionë euro për shtëpinë

Postuar në 17 Gusht, 2013 16:03

Deputeti socialist thotë se të revoltuar me presidentin duhet të jenë shqiptarët, pasi ka marrë më shumë se 1.2 milion dollarë vetëm për rikonstruksionin dhe mobilimin e vilës ku banon.

Deputeti socialist, Erion Braçe, i është përgjigjur akuzave të presidentit Bujar Nishani, se mazhoranca e re është duke shpikur dhe duke e kërcënuar dhe shantazhuar atë. Sipas Braçes, nuk është shpifje dhe as shantazh, të flasësh për shpenzimet e ekzagjeruara dhe të pajistifikuara të Nishanit.

Presidenti i Republikës paska qenë sot shumë i revoltuar. Sipas tij, qenka shpifje të flasësh për:

Shpenzimet e tij të financuara nga para publike, me vendim të qeverisë. Rasti i fundit ishte dje, kur qeveria vendosi t’i shtojë shpenzimeve korente të presidentit 50 mijë dollarë të tjerë.

Presidenti thotë se ato para qenkan për Samitin e Presidenteve të Ballkanit Perëndimor që do u zhvilloka në një natë në Tiranë. T’i marrim me rradhë gjërat:

E para, shpenzimet e presidentit kanë nisur të shqetësojnë qysh kur qeveria, në harkun e një viti, me tre vendime i ka dhënë atij:

herën e parë 516 mijë dollarë;

herën e dytë 488 mijë dollarë;

herën e tretë 270 mijë dollarë.

Të gjitha për rikonstruksionin dhe mobilimin e Vilës 4, vilë ku do të banojë Presidenti i Republikës. Në total arrin në rreth 1.274.000 dollarrë.

Nuk e di, por të revoltuarit duhet të ishin shqiptarët. Më tregoni një shqiptar tjetër në këtë vend që do të shpenzonte në këtë vakt krize, 1.2 milion dollarë për shtëpi e mobilim. Pastaj, ç’është kjo shtëpi që u rikonstruktoka e u mobiloka me 1.2 milion dollarë? Me kaq para pallati bëhet nga e para”, ka thënë deputeti socialist.

Ai është ndalur edhe tek Samiti i Presidentëve, për të cilin, sipas Nishanit, është sulmuar nga mazhoranca e re. Braçe thotë se shifrat e akorduara për këtë samit janë të pajistifikuara, pasi për një natë, një person i bie që të harxhojë 5 mijë dollarë.

E dyta, shpenzimi për këtë Samitin:

E para, besoj se Presidenti e di se paratë janë nxjerrë nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit; besoj gjithashtu se prekja e fondit rezervë në këtë rast është krejtësisht e paargumentuar në referencë të arsyeve ligjore që ka paraparë ligji.

E dyta, për çfare do shpenzohen këto para? Se me lejoni t’u them që 5000 dollarë për kokë për një natë janë ca si shumë për një vend si ne. Duke marrë me shumë seriozitet faktin se duhet të jemi dinjitozë në organizimin e të tilla “samiteve”!!!!!”, thotë Braçe.

Sipas tij, “revoltimi” i Nishanit bëhet për t’i ikur vendimeve të paligjshme dhe të njëanshme, duke nisur që nga dekreti për dhurimin e SHQUP-it, Partisë Demokratike.

Nisur nga sa më sipër, më duket tërësisht e kotë revolta e presidentit. Në mos më duhet të them që “revolta” u shpik në një moment vetëviktimizimi, si zgjedhje per t’i ikur përgjigjieve të mëdha për vendimet e tij të paligjshme, por tërësisht të njëanshme”, e mbyll deputeti socialist

 

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.