Të mërkurën, qeveria e re detajon programin

Postuar në 19 Gusht, 2013 16:42

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, do të mbledhë ditën e mërkurë në qytetin e Vlorës kabinetin e ri qeveritar. Në këtë takim, i cili do të zgjasë dy ditë, pritet të diskutohet rreth dikastereve, strukturave dhe për programit 300-ditësh, i cili është hartuar nga grupi i përbashkëti i punës, PS-LSI. Kjo mbledhje do të shënojë edhe momentin e parë, ku do të zyrtarizohen prioritetet kryesore të qeverisë së re.

Deri më tani, janë evidentuar disa çështje kryesore, ku do të fokusohet qeveria e majtë, siç është menaxhimi i territorit, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare, ku ka probleme me ndërtimet pa leje, por edhe stabiliteti ekonomik, së bashku me rivendosjen e rendit.

Dita e parë e mbledhjes do të përmbajë diskutime rreth programit të përbashkët të grupit të punës PS-LSI, i cili është drejtuar nga Ilir Beqaj dhe Edmond Haxhinasto. Grupi i punës do të japë udhëzimet përkatëse për hartimin e strategjive për secilën ministri dhe më pas do të jenë ministrat ata që do t’i detajojnë këto strategji më tej, duke i diferencuar në bazë të dikastereve përkatëse.

Në ditën e dytë të mbledhjes pritet që të diskutohet rreth mënyrës së organizimit të secilit dikaster, duke përfshirë këtu jo vetëm ministritë, por edhe agjencitë e tjera, si ajo e menaxhimit të bregdetit, legalizimeve dhe të tjera si këto. Një rol kryesor në diskutime do të luajë edhe asistenca britanike, ku grupi i ekspertëve britanikë, ka një plan këshillues, që përmban detaje për metodat që do të aplikohen gjatë qeverisjes katërvjeçare.

 

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.