Tenderi, Berisha blen 940 milionë lekë karburant

-Qeveria në ikje ka blerë dje karburant me një vlerë prej 940 milionë lekë. Fondi do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe karburanti do të shpenzohet nga kryeministria dhe institucionet në varësi të saj. Në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike mësohet se ka nisur procedura e prokurimit për furnizim me karburante në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë. Fondi limit është 949 234 900 lekë pa TVSH, vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit. Sipas të njëjtave burime mësohet se për lotin e parë është parashikuar furnizim me lëndë djegëse për automjete karburant diesel, gazoil, me një fond prej 757 583 338 lekë pa Tvsh. Ndërsa për lotin e dytë është parashikuar furnizimi me lëndë djegëse për ngrohje industriale dhe shtëpiake me fondin limit 2 844 999 lekë pa Tvsh. Qeveria në ikje do të blejë në lotin e tretë lëndë djegëse për automjete benzinë pa plumb me një fond limit prej 159 734 337 lekësh pa Tvsh, ndërsa për lotin e katërt ka parashikuar furnizim me lëndë djegëse e lëngët për kaldaja me një fond limit prej 666 666 lekë pa Tvsh. Në dy lotet e fundit, në të pestin është parashikuar furnizimi me naftë me një fond limit 28 105 560 lekë pa Tvsh dhe në lotin e gjashtë furnizim me lëndë djegëse për automjete, për përdorim shtëpiak dhe industrial GLN (mishelë) dhe një fond limit 300 000 lekë pa Tvsh.
Operacionet
Qeveria shqiptare i ka lënë të drejtën vetes që deri në dorëzimin e pushtetit të nxjerrë para nga thesari i shtetit vetëm për rastet e emergjencës. Me anë të një vendimi të posaçëm Këshilli i Ministrave vendosur se që nga data 15 korrik 2013, të ndalohej botimi i çdo lloj njoftimi për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime kapitale dhe korrente të njësive të qeverisjes së përgjithshme. Në vendim u përcaktua që shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes (602 dhe 605) të njësive të qeverisjes qendrore, të pakontraktuara deri në datën 15 korrik, pasi të zbriten fondet për pagesën e energjisë elektrike, ujit dhe telefonisë, ngurtësohen në masën 20 për qind të pjesës së mbetur. Gjithashtu u vendos të reduktohet 30 për qind masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për çdo përfitues nga vendimi nr.864, datë 23.7.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen me numër telefoni celular të personave juridikë, publikë”, si dhe fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse, për periudhën e mbetur, reduktohen në masën 50 për qind në të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nëpërmjet përgjysmimit të limeteve mujore për çdo përdorues.
Borxhi
Në tre muajt e fundit qeveria shqiptare ka dalë në tregun vendas për borxh mesatarisht dy herë në muaj. Blerja e bonove të thesarit dhe obligacioneve nga bankat e nivelit të dytë nga Banka e Shqipërisë dhe nga individët në treg ka “shpëtuar” qeverinë, duke i dhënë asaj mundësinë që të mbyll shpenzimet operative. Ministria e Financave edhe pas riorganizimit të shpenzimeve vijon të rrisë borxhin publik. Deri në dorëzimin e pushtetit Ministria e Financave do të mund të kryejë pagesa vetëm për pagat dhe pensionet, për raste emergjente dhe për ilaçet, por duket se këto shpenzime do të mbulohen me borxhin që do të marrë qeveria në 18 korrik në obligacione 2-vjeçare. Shuma e përgjithshme e shpallur është 3.5 miliardë lekë. Ankandi do të zhvillohet nga Banka e Shqipërisë, kuponi indikativ i ofruar nga Ministria e Financave do të jetë 6.50 % dhe do të paguhet çdo 6 muaj. Ndërkohë qeveria ka realizuar thuajse 90 % të totalit të borxhit të parashikuar për të marrë gjatë gjithë vitit në 6 muajt e parë të tij. Pak ditë më parë qeveria mori në tregun vendas një borxh prej 21 miliardë lekësh, para të cilat shkuan për shpenzime operative, për letër, bojë dhe naftë, ndërkohë që kufiri i borxhit kapërcen çdo parashikim duke u përllogaritur në mbi 63 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Buxheti i Shtetit
Loti I.
Furnizim me lëndë djegëse për automjete karburant diesel (gazoil)
Fondi limit 757 583 338 lekë pa Tvsh.
Loti II. Furnizim me lëndë djegëse për ngrohje industriale dhe shtëpiake
Fondi limit 2 844 999 lekë pa Tvsh.
Loti III. Furnizim me lëndë djegëse për automjete benzinë pa plumb
Fondi limit 159 734 337 lekë pa Tvsh.
Loti IV. Furnizim me lëndë djegëse e lëngët për kaldaja
Fondi limit 666 666 lekë pa Tvsh.
Loti V. Furnizim me naftë F-76 Fondi limit 28 105 560 lekë pa Tvsh.
Loti VI. Furnizim me lëndë djegëse për automjete, për përdorim shtëpiak dhe industrial GLN (mishelë) Fondi limit 300 000 lekë pa Tvsh.
SHEKULLI

Add new comment