Brokaj: Jashtë koalicionit LSI do merrte deputetë sa gjysma e 2009-ës

sh-drejtuesi i lartë i Partisë Socialiste dhe më pas i Lëvizjes Socialiste për Integrim, shprehet optimist se qeveria “Rama” do dijë të përmbushë objektivat që i ka vënë vetes. Duke vlerësuar maksimalisht përbërjen e saj, ai thekson se gjenerata e vjetër së cilës i përket edhe ai vetë, nuk mund të përfaqësohej në qeveri për shkak se vendi ka nevojë për energji dhe vizione të reja. Në këtë intervistë ai flet edhe për pritshmëritë e qeverisjes së majtë me dy protagonistë, si dhe arsyet pse LSI pati një rritje të madhe të përfaqësimit të saj.
Zoti Brokaj, opozita arriti që pas 8 vitesh të fitojë zgjedhjet dhe të vijë në pushtet me një mazhorancë të madhe në numër. Ndërkohë që kryetari i saj, Edi Rama shpalli pak kohë më parë edhe përbërjen e kabinetit të tij qeveritar. Duke parë emrat e ministrave të rinj, si do e vlerësonit këtë qeveri?
Përbërjen e shoh në sensin pozitiv përgjithësisht. Pra në përgjithësi janë elementë të rinj, me aq sa është demonstruar, janë të formuar mirë. Për shumicën dërmuese të tyre nuk ka opinione negative për korrupsion apo për ato patologji që politika apo politikanët shqiptarë janë akuzuar. E shoh si një përzgjedhje të mirë. Në këtë kuptim shpresoj që si qeveri të funksionojë mirë. Aty ka ministra që janë shumë shpresëdhënës, siç është rasti i ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ministrja e Mbrojtjes, po ashtu apo edhe ministri i Brendshëm, për të cilin nuk kam ndonjë merak siç thuhet se mund të bëjë ndonjë sjellje ekstreme. Duket që është i kthjellët, i qartë, i guximshëm. Pra s’dua t’i analizoj ministrat në tërësi, por i përmenda këta se më erdhën në kujtesë më shpejt. Por shpresoj që vërtet të funksionojë mirë.
Por përbërja e qeverisë ishte deri diku edhe jashtë pritshmërive, pasi shumë nga figurat kryesore të kësaj force nuk u përfshinë në të, pra bëhet fjalë për ata që kanë bërë historinë e kësaj force si në kohë qeverisjeje, ashtu edhe në opozitë…
Jo, unë vërtet e gjej normale këtë, pavarësisht se vetë personalisht i takoj një gjenerate që do kisha qejf të kishte përfaqësuesit e kësaj gjenerate. Por një ndryshim rrënjësor i rëndësishëm për t’i dhënë fund tranzicionit dhe shumë sëmundjeve të tjera që erdhën nga përfaqësues të gjeneratës sime, e bënte të domosdoshme. Ne nuk kemi pse të pretendojmë, pra kjo gjeneratë që unë i përkas, pasi përfaqësuesit tanë në këto 20 vjet, Berisha apo Nano, shqip, vetëm na njollosën. Dhe i takon tani një gjenerate tjetër, në mendim natyrisht të ri, politikisht të provuar që janë të majtë dhe që kanë vizionin e duhur. Prandaj në këtë pikëpamje, ajo ndërthurja e brezave që duhet, dhe natyrisht ndërthurja e brezave, ashtu si ajo gjeografike apo gjinore është stabilitet politik, mua në këtë rast nuk më bën shumë merak sepse kështu është realiteti. Çfarë do të thotë gjenerata ime që i takon Saliut, apo po të marrë atë që ishte dhjetë vjet më i ri, Nanon? Pse duhet të pretendojmë në këtë pikë? Kuptohet, s’na vjen mirë, pasi jo e gjithë kjo gjeneratë ishte e baltosur, sepse kishte njerëz shumë të zotë, por një ndryshim i rëndësishëm në praktikën e qeverisjes, në pastërtinë e figurës, në orientimin dhe në vizionin e justifikon këtë përbërje. Pra s’më vjen keq.
Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë qeveri iu dha mes të tjerave dhe Ministria e Drejtësisë, çka në fakt duket se nuk bën sens për sa kohë LSI ishte forca që u akuza më shumë gjatë qeverisjes së shkuar për çështje që kishin të bënin me drejtësinë. Si e shihni këtë zgjedhje?
E vërtetë është që opinioni i përgjithshëm është ky që thatë ju. Unë mendoj se LSI, pra ata që e kërkuan këtë detyrë e dinë këtë opinion, e dinë dhe rëndësinë e detyrës së tyre. Ndaj kam besim se do të jenë më se korrektë që në këtë ansambël të qeverisë të harmonizojnë në tërësi me kualitetet e tjera. Dhe këtë opinion që është paraprak ta zbehin dhe ta shuajnë në të ardhmen. Çdo njeri që është i ndërgjegjshëm dhe që ndjen përgjegjësinë, pavarësisht se çfarë ka patur në të kaluarën, është në gjendje të funksionojë mirë. Kjo do të shihet natyrisht në rrugë e sipër. Nga ana tjetër, mënyra sesi është shprehur Rama, dhe unë besoj se ajo është dhe natyra e tij, që ka një kryeministër dhe nuk ka parcela, më bën të besoj se Naço nuk e ka domenin e tij këtë ministri. Ai është ministër i një qeverie të caktuar. Në rast se ministrat e Berishës apo të Nanos dikur shkelën diçka apo bënë gabime, për mua ata shkelën se kryeministrat nuk e kishin problem që të ishin të tillë. Ose më saktë, ua krijuan hapësirën. Në qoftë se kryeministri është i korruptuar ose shkel ligjin, s’ka ndonjë problem nëse e shkel dhe ministri. Është ajo shprehja e famshme që, në rast se mbreti vjedh një vezë, nëpunësi vjedh gjithë kotecin. Ndaj gjykoj se Rama e ka marrë me përgjegjësi të madhe qeverisjen, përkushtimin e ka, aftësinë po ashtu, kështu që besoj se ministrat, edhe nëse do ketë ndonjë prirje, nuk do mund të shkasin.
Ka një lloj dyshimi në lidhje me funksionimin e kësaj qeverisjeje për shkak të dualitetit Rama-Meta, kjo edhe për shkak të konflikteve që ata kanë patur edhe më parë, por edhe duke u nisur nga karakteri i fortë që ka Meta si një lider në të majtën. Ju shihni probleme në këtë drejtim?
Unë mendoj që Meta gjithsesi është racional në interesat e tij, kuptohet edhe personale. Edhe sikur ta merrja të mirëqenë këtë që thatë ju, dhe që natyrisht ka lëndë të tillë nga e kaluara, interesi i Metës nuk është më të konfliktohet me Ramën. Unë e kam thënë që Meta të mos përpiqet për garë dominimi dhe protagonizmi, pasi ajo nuk do ishte e keqe vetëm për ne në tërësi, por do ishte e keqe edhe për të. Opinioni fillestar dyshues mund të shuhet, por nëse ai përsëritet, ai shumëfishohet. Ndaj themi, nëse dikur me Nanon dhe me Ramën ka patur të tilla pozicione jo të mira, ose kundërshti, besoj se nuk kanë për t’u provokuar tani. Kjo pasi jo vetëm se kjo nuk është në interesin e Shqipërisë, por nuk është as në interesin e tyre personal. Iliri është racional në përzgjedhje dhe në veprimet që bën dhe ngushtësisht në interesat e tij. Ndaj them që interesi i tij është në funksion të një suksesi të përgjithshëm dhe aty ai e ka trasenë e tij të hapur.
Si e shpjegoni faktin që LSI, pavarësisht akuzave të shumta për korrupsion gjatë qeverisjes së shkuar, arriti të shumëfishojë rezultatin e saj në zgjedhje?
Për mua rezultat është koalicioni, padyshim. Besoj që Iliri dhe të tjerë drejtues të kësaj force, pavarësisht se nuk e thonë, ata duhet ta dinë që LSI në rast se do konkurronte jashtë koalicionit do të dilte më keq se ç’ka qenë. Opinioni negativ ishte duke mos qenë në koalicion. Dhe vetvetiu lind pyetja se, me çfarë do mburrej LSI-ja, pra do bënte politikë me qeverisjen e Berishës? Më thoni një sukses, jo vetëm faktin e dëmit të madh që na bëri ne të gjithëve duke lënë Berishën deri tani, e solli dhe e mbajti, por më thoni një gjë të mirë që bëri ajo qeverisje. Pra, për t’i parë gjërat ftohtë dhe qartë pavarësisht qejfmbetjes së ndonjërit, por objektivi ishte se do dilte shumë më keq. Dhe ajo doli shumë më mirë për faktin se u afrua nga PS në një qeverisje të përbashkët. Vetiu kjo do të mblidhte shumë vota edhe majtas, edhe djathtas, dhe sidomos në lojën adekuate që bëri Meta, në kushtet e favorshme që u vendosën në koalicion. Atëherë kur thoshte ai punësim, natyrisht që do i vinin Ilirit vota, sepse ai ka punuar për punësimin, po deshe edhe jashtë organikave. Dhe duke qenë se do ishte në një qeveri, atij do t’i vinin vota kur përdorte këtë slogan. Apo edhe slogani për të rinjtë. Por çfarë do thoshte ai në rast se nuk do ishte në koalicion, kush do t’i vinte kur ai deklaronte ato slogane për punësim? Prandaj zgjedhja politike ishte shumë e zgjuar e Metës për të kaluar në këtë koalicion. Gjithsesi ka një mospërputhje mes votave që janë marrë me deputetët, por kjo ka ardhur për shkak të formulave të Kodit Zgjedhor.
Ditët e fundit është hapur dhe një debat lidhur me SHQUP-in. Ju edhe si ish-ministër Mbrojtje, si e konsideroni vendimin e qeverisë për t’ia kaluar si seli PD-së?
Unë e kam quajtur “haxhiqamilizëm”, në kuptimin jo thjesht se është shkelur çdo ligj, por sepse është shkelur dinjiteti i ushtrisë, e cila nuk është parti, por është kombëtare. SHQUP, pavarësisht se çfarë thonë, ka rol edukativ së pari dhe jo thjesht argëtues. Ajo ka tri formacione të rëndësishme në përbërjen e saj, siç ishte ansambli, banda e të tjera. Është vendi ku edukohen, përgatiten dhe kualifikohen ushtarakët në kuptimin e konferencave politiko-ushtarake. Dhe ka simbolin e një tradite. Nuk ka gjë më të keqe sesa ndodh me ne që shkatërrojmë traditën dhe historinë. Pra është një akt joligjor që prek ushtrinë në interes të një partie, që deri dje ne nuk dimë të kishte asnjë kërkesë që të zgjerohej. Kështu që në këtë kuptim, siç bëri Berisha me Shtëpinë Qendrore, i ngjan një ushtrie plaçkitëse dhe që tani pasi ka humbur luftën, po bën plaçkën e fundit. Pra është vërtet një palaçollëk, pasi deri dje ti e ke kundërshtuar një kërkesë të OSBE-së dhe sot e merr vetë.
MAPO
Add new comment