Qeveria emetoi 15 mln eurobono borxh të brendshëm, interesi 3%

Postuar në 21 Gusht, 2013 05:47

Ditë të arta për borxhin e qeverisë, interesat e të cilit kanë rënë në nivelin më të ulët historik. Vlerat e ulëta përveç lekut vijuan edhe për borxhin në euro që qeveria realizoi dje në një ankand të posaçëm. Banka e Shqipërisë shiti për llogari të qeverisë 15 milionë euro letra me vlerë me afat maturimi 12-mujor. Ndryshe nga ankandi i kaluar në korrik, ku BSH nuk arriti që të shesë të gjithë shumën e nxjerrë në shitje për shkak të interesit të lartë të ofruar nga bankat, pavarësisht kërkesës së lartë për to, këtë herë ajo ia ka dalë që të mbledhë të gjithë shumën që i duheshin financave. Shuma e kërkuar nga bankat, institucionet financiare dhe individët ishte 16 miliardë lekë. Yield-i (interesi) mesatar i kërkuar nga pjesëmarrësit në ankand ishte 3.18% dhe ai i pranuar zbriti në 3.08%, nga 3.9% që kishte qenë në ankandin e 23 korrikut 2013, një rënie e ndjeshme kjo. Në ankandin  korrikut, BSH arriti të shesë vetëm 9.3 milionë euro eurobono, nga 11 milionë euro që kishin planifikuar financat, teksa bankat kërkuan interesa të larta, duke e detyruar Bankën e Shqipërisë të pranojë vetëm ofertat që kanë interes të ulët. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky është ankandi i nëntë që realizohet në euro, që kur filluan të shiten eurobono në maj 2010. Aktorët e tregut valutor e lidhin zhvlerësimin e javës së fundit të lekut me ankandin e eurobonove, që ka nxitur interesin kryesisht nga individët për të blerë euro. Monedha vendase ka humbur vazhdimisht pikë gjatë ditëve të fundit ndaj euros, duke u këmbyer sot me mbi 140 lekë, ndonëse përgjithësisht kjo është një periudhë sezonale ku leku është i fortë. interesat e borxhit shqiptar kanë rënë në minimumin historik, si për interesat e borxhit të jashtëm dhe ato të borxhit të brendshëm. Kjo përkthehet në miliona euro më pak pagesa nga buxheti për interesat dhe këste më të ulëta mujore për të gjithë ata individë që kanë marrë kredi në lekë. Letrat e borxhit të qeverisë (bonot e thesarit 12-mujore) u shitën në ankandin e fundit me 5.8 për qind interes. Një vit më parë, interesi i tyre ishte mbi 7 për qind në këtë periudhë. Borxhi i brendshëm i qeverisë aktualisht është 448 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e tij është në bono thesari, sipas afateve 3-6 dhe 12-mujore. Duke qenë se interesi për çdo maturim është ulur në mënyrë të ndjeshme, i bie që qeveria të ulë ndjeshëm koston e shërbimit të borxhit.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.