PS drejt zgjedhjeve, Rama pa mandat në shtator

Në rast se Edi Rama (ashtu si edhe pritet të ndodhë) do të rikandidojë për kryetar të Partisë Socialiste, kjo do të ishte gara e tij e pestë dhe mandati i tij katërt. Kjo, pasi ambicia e Ramës për kryetar të Partisë Socialiste nis që në vitin 2003, ku në pozicionin edhe të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, kandidonte për herë të parë në Kongres përballë kryetarit të atëhershëm, Fatos Nano dhe ish-Presidentit Rexhep Mejdani. Garë të cilën ai natyrisht do ta humbiste, pasi përballë kishte kryetarin dhe kryeministrin e vendit. Dy vjet më vonë, në vitin 2005, ai do të provonte sërish dhe do të fitonte një garë që dukej se ishte paravendosur për shkak të gjendjes së kaosit në të cilën ishte PS-ja në atë kohë, si pasojë e humbjes së zgjedhjeve parlamentare të atij viti dhe dorëheqjes së Fatos Nanos nga të gjitha pozicionet në parti. Përballë në këto zgjedhje Rama pati sërish ish-presidentin Rexhep Mejdani, të cilin do ta mundte me një diferencë të konsiderueshme. Mandati që mori në vitin 2005 për Ramën nuk do ishte i plotë, por plotësues i mandatit të lënë për gjysmë nga Nano. Ndaj në vitin 2007, pasi ishin kryer edhe ndryshimet e nevojshme statutore, PS-ja zhvillon sërish zgjedhjet për kryetar të saj, por kësaj here direkt nga anëtarësia sipas parimit “Një anëtar, një votë”. Në zgjedhjet e 12 majit të atij viti, Rama mori mandatin e plotë të tij si kryetar i PS-së, ku përballë kishte një kandidat të dobët, si Shkëlqim Meta. Këto zgjedhje Edi Rama i fitoi me 97.5 për qind të votave të anëtarësisë së PS-së. Por për shkak të një klauzole që e kishte vendosur vetë në statut, pra atë që, nëse partia humbet zgjedhjet parlamentare, kryetari i partisë largohet, Rama këtë mandat do ta mbante vetëm 2 vjet, pasi në vitin 2009 ai do të humbiste zgjedhjet e përgjithshme. Nëpërmjet një procesi të kontestueshëm nga një pjesë e figurave të PS-së, ai pasi do të dorëhiqej nga posti i kryetarit, do të rikandidonte sërish në zgjedhjet e 26 shtatorit, të cilat i fitoi sërish me afro 90 për qind të votave, ndërsa përballë pati kandidaturën e Maqo Lakrorit.
Statuti i PS-së
Neni 30
Kryetari i Partisë Socialiste
Pika 2. Mandati i kryetarit të partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:
a. jep dorëheqjen;
b. partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative;
c. humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë.
Mocioni administrohet nga Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP).
Neni 27
Asambleja Kombëtare e PS-së
Pika 3. Kur vendi i kryetarit të partisë mbetet vakant, Asambleja Kombëtare mblidhet brenda 15 ditësh dhe thërret brenda 30 ditësh Kongresin e Jashtëzakonshëm të partisë për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të kryetarit të ri të partisë, e cila nuk duhet të jetë më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit.
Neni 26
Kompetencat e Kongresit të Partisë
3. Përfaqësia e Kongresit administron kandidaturat për kryetar të PS-së, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre. Kandidatët për kryetar të PS-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në AK të PS-së.
4. Kandidatët për kryetar të PS-së paraqesin në Kongres platformat e tyre.
5. Kongresi vendos datën e zhvillimit të votimit nga anëtarësia e partisë në shkallë vendi për zgjedhjen e kryetarit të PS-së sipas parimit “Një anëtar, një votë, jo më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit.
MAPO
Add new comment