Rritja e pagave, të hënën shpërndahet fondi 2. 5 mld lekë

Postuar në 31 Gusht, 2013 04:57

-Fondi prej 2.5 miliardë lekësh, i përllogaritur për shtesën mbi pagat dhe pensionet do të nisë të ndahet të hënë, në 1 shtator. Edhe pse efektet financiare nisin në korrik, shtesa mbi pagën do të ndahet me rrogën e gushtit dhe do të vijojë të paktën deri në fund të këtij viti. Shtesë mbi pagën do të përfitojnë të gjithë nëpunësit civil, mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët. Sipas vendimit të qeverisë, rritje page nuk do të kenë funksionarët e lartë të shtetit, nga Presidenti i Republikës deri te Sekretari i Përgjithshëm në ministri, por të gjithë punonjësit e tjerë do të kenë shtesa nga 2 deri në 6 %.

Rritja e pagave

Mbi bazën e shtesave të reja do të aplikohet edhe një rritje mesatare prej 5.4 % e pagave. Nga kjo rritje që nis nga korriku do të përfitojnë edhe 15 100 punonjës të sektorit mbështetës të institucioneve, të cilëve paga iu rritet me 6 % dhe nga 35 122 lekë shkon në 37 199 lekë. Një kategori tjetër që përfiton dhe që çdo vit është trajtuar me prioritet, është ajo e arsimtarëve, të cilëve paga nga 53 300 lekë iu shkon në 54 828 lekë, duke tejkaluar kështu edhe pagesën mesatare në vend. Ndërkohë ndryshimet prekin edhe pagën mesatare e cila rritet nga 35 897 lekë në 37 854 lekë. Personat e punësuar në institucionet shtetërore janë trajtuar me rritje të diferencuar page duke pasur prioritet ata me paga më të ulëta. Ndërkohë, rritja e pagave ndryshon për nënprefektët sipas qarqeve, të cilët janë grupuar sipas madhësisë që kanë. Rritja e pagave përfshin edhe këshilltarët e ministrave, sekretarët e Kryeministrit, të Kuvendit apo Avokatit të Popullit. Për pozicionin sekretar, në vendim shtohet gjithashtu pika ku thuhet se shtesa për vjetërsi në punë për të gjitha pozicionet sekretar jepet në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 vjet, dhe llogaritet mbi vlerën 14 000 lekë.

Pushteti qendror

Sekretari i ministrit, sekretari i këshilltarit të Presidentit, sekretari në zyrën e Avokatit të Popullit, sekretari i titullarëve të institucioneve të tjera të pavarura, sekretari i organit kolegjial drejtues, sekretari në Kryeministri, në aparatet e ministrive të linjës dhe në institucionet e pavarura do të marrin një rrogë prej 59 000 lekësh në muaj.

Pushteti vendor

Niveli i pagave ka pësuar rritje edhe për punonjësit e pushtetit vendor, por shtesa është e diferencuar duke u dhënë prioritet pagave të ulëta dhe kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore që kanë më shumë popullsi. Kryetarët e këtyre bashkive kanë një rritje me gati një mijë lekë. Për bashkitë e tjera edhe më të vogla, me më pak se 50 mijë banorë, rritja për pagën e kryetarit është me po një mijë lekë. Për të gjithë ata të punësuar pranë institucioneve të pushtetit vendor, por që nuk kanë arsimimin e lartë, pagat e tyre rriten nga 33 mijë lekë në 34 mijë lekë, ndërsa për punonjësit mbështetës pagat që fillojnë nga 21 mijë lekë bëhen 22 mijë lekë dhe gradualisht deri në 34 mijë lekë për ata që maksimalen e kanë pasur 33 mijë lekë

Fondi për pensionet

Fondi për rritjen e pagave dhe të pensioneve do të jetë një faturë e kripur për buxhetin e shtetit. Edhe pse përllogaritja e saktë nuk është kryer, ende burime nga ministria e Financave bëjnë të ditur se fatura financiare do të arrijë deri në rreth 2.5 miliardë lekë. Kryeministri Berisha ka njoftuar rritjen e pagave, por nuk ka shpjeguar se si do të mbulohet kjo faturë nga buxheti i shtetit. Ndërkohë që të ardhurat në buxhet janë në minimumet historike, vetëm në tre muajt e parë të vitit mungojnë rreth 4 miliardë lekë.

Struktura e pagave për nëpunësit civilë

Kategoria I-a

Shtesa e pozicionit 129.000 lekë/muaj

Kategoria I-b

shtesa e pozicionit 118.000 lekë/muaj

Kategoria II-a

Shtesa e pozicionit 107.800 lekë/muaj

Kategoria II-b

Shtesa e pozicionit 91.700 lekë/ muaj

Kategoria III-a

Shtesa e pozicionit 74.400 lekë/muaj

Kategoria III-a/1 shtesa, 65.200 lekë/muaj

Kategoria III-b shtesa, 57.000 lekë/muaj

Kategoria IV-a shtesa, 45.800 lekë/muaj

Kategoria IV-b shtesa, 35.500 lekë/muaj

Kategoria IV-c shtesa , 27.500 lekë/muaj

Rritja e pagave

- Paga minimale dhe maksimale rriten me 5 %

- Paga minimale ishte 21 mijë lekë, bëhet 22. 26 mijë lekë

- Paga mesatare ishte 51.3 mijë lekë, bëhet 54. 37 mijë lekë paga për mësuesit rritet me 4 %

- Paga mesatare në arsimin e mesëm ishte 59.4 mijë lekë, bëhet 62. 9 mijë lekë

- Paga mesatare në arsimin 9-vjeçar ishte 56.7 mijë lekë, bëhet 60. 1 mijë lekë

- Paga për mjekët rritet me 5 %

- Paga mesatare e mjekut ishte 55.7 mijë lekë, bëhet 58. 1 mijë lekë

- Paga mesatare e infermierëve në spitale ishte 36.7 mijë lekë, bëhet 38. 9mijë lekë

Rritja e pensioneve

Ishte

Pensioni minimal në qytet 13712 lekë

Pensioni maksimal në qytet 23623 lekë

Pensioni i plotë të fshatit 8731 lekë

Pensioni maksimal të fshatit 11762 lekë

Bëhet

Pensioni minimal në qytet 14397 lekë

Pensioni maksimal në qytet 24567 lekë

Pensioni i plotë të fshatit 9167.5 lekë

Pensioni maksimal të fshatit 12232, 5 lekë

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.