Pronat e lëna peng në bankë, në ankand me gjysmën e vlerës

Tiranë- Nga dje, hyn në fuqi një prej reformave më të rëndësishme të drejtësisë civile, ku përfitues do të jenë qindra qytetarë dhe bankat që nuk arrijnë të mbledhin kreditë e këqija. Thjeshtimi i procedurave për disa shërbime që deri dje kryheshin në gjykatë, sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Civil dhe atë të Procedurës Civile, tashmë do të kryhen nga noterët, duke shkurtuar kështu kohën e pritjes në dyert e gjykatave për qytetarët. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi tha dje se nga kjo reformë do të përfitojnë më se 30 mijë qytetarë në vit, të cilët nuk do e kërkojnë më dëshminë e trashëgimisë në gjykatë, por do mund ta përfitojnë këtë shërbim në pak minuta tek noteri. “Mbi 30 mijë qytetarë nuk do të harxhojnë me mijëra lekë për shpenzime gjyqësore dhe afërisht një muaj kohë, por do ta përfitojnë këtë shërbim në pak minuta, nga noteri”, – thotë Halimi, duke shpjeguar kështu përfitimin e qytetarëve që më parë i drejtoheshin gjykatës për të kërkuar dëshminë e trashëgimisë. Një tjetër kategori që përfiton nga ndryshimet në Kodin Civil janë edhe qytetarët që kanë fituar një proces gjyqësor, të cilët ishin të detyruar t’i drejtoheshin sërish gjykatës për të kërkuar urdhrin e ekzekutimit për procesin që ata kishin fituar. Kjo procedurë tashmë do të kryhet nga noteri, duke shmangur kështu përballjen sërish me gjykatën, çka do t’u kursejë kohë dhe para’ subjekteve që kanë fituar proceset gjyqësore. Ministri në detyrë i Drejtësisë thotë se ndryshimet në Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Civile gjithashtu parashikojnë forma të reja njoftimi për qytetarët që janë pjesë e një procesi gjyqësor. “Qytetarët do të informohen edhe nëpërmjet sms-ve apo e-mailit për ditën e gjyqit, për çfarë ka ndodhur në seancë dhe do të kenë mundësi monitorimi 24 orë në 24”, – thotë Halimi. Sipas tij, kjo reformë pritet të ketë ndikim pozitiv edhe në sistemin gjyqësor, i cili tashmë do të jetë më eficent, pasi nuk do të marrë më në shqyrtim me mijëra çështje me objekt dëshmi trashëgimie apo urdhër ekzekutimi. “Gjyqtarët do të kenë më pak procese, ndaj trupat gjykues do të jenë më fleksibël, si dhe kalendari elektronik për proceset civile do të shkurtojë kohën e gjykimit për këdo që i drejtohet gjykatës”,- thotë Halimi. Por kjo reformë gjithashtu ka një përfitues tjetër të rëndësishëm, siç janë bankat e nivelit të dytë që operojnë në vend. Kreditë e këqija, që konsideroheshin një problem thelbësor për sistemin bankar, tashmë do të zgjidhen me procedurë të thjeshtuar dhe brenda një afati shumë të shkurtër kohor. Kodi i ri Civil parashikon që kolaterali për një kredi të pashlyer në ankandin e dytë mund të shitet me gjysmën e vlerës së tij, duke i sjellë bankës kështu përfitim të drejtpërdrejtë për kredinë e pashlyer nga subjekti kredimarrës. Gjithashtu, edhe procedura në gjykata tashmë është më e thjeshtë, çka do t’i japë më shumë siguri sistemit bankar. “Hyrja e kësaj pakete në fuqi është siguri e shtuar edhe për sistemin bankar, i cili do të ketë mundësi të ekzekutojë më shpejt kreditë e këqija; do të mund të kontrollojë online se çfarë bën përmbaruesi me çështjen e tyre, si dhe të sigurojë kolateralin”,- thotë Halimi. Nga dje, të gjitha këto ndryshime pritet të zbatohen në praktikë, aty ku do të shihen edhe efektet reale të reformës në drejtësinë civile.
Ankandet për
pasuritë e lëna peng
Nëse ke lënë peng një shtëpi për të marrë kredi, do ta kesh shumë të vështirë t’i shpëtosh bankës, pasi qeveria në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë e kanë forcuar ligjin. Neni 577 i Procedurës Civile ndryshohet si vijon: “Në rast se në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofrues, atëherë brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor cakton çmimin e ri të sendit, i cili ulet në 56% të vlerës aktuale. Ankandi i dytë për shitjen e sendit zhvillohet jo më vonë se 15 ditë nga data e caktimit të çmimit të ri”. Ky në fakt është një ndryshim thelbësor në favor të bankave. Sipas ligjit në fuqi, ankandi i dytë mund të zhvillohet vetëm pasi të kenë kaluar tre muaj nga ankandi i parë dhe çmimi i ri mundet të jetë 20% më i ulët. Procedura zgjat me vite, ndërsa bankat pohojnë se këto zvarritje krijojnë kosto që e bëjnë të papërballueshme ndjekjen e qindra proceseve gjyqësore. Ndryshimi tjetër thelbësor në favor të bankave ka të bëjë me kompetencat e nxjerrjes së urdhrit ekzekutiv, të cilit i është shtuar edhe një afat i qartë kohor. “Në çështjet e ekzekutimit të garancisë që rrjedh nga mosshlyerja e kredisë bankare, urdhri i ekzekutimit duhet të nxirret brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit, nga gjykata e vendit ku është caktuar të bëhet ekzekutimi”. Procedura aktuale nuk ka një afat të përcaktuar. Gjykata, kur merr vendime të tilla, ia kalon për ekzekutim Përmbarimit, i cili nga ana e tij vepron në varësi të çështjes, pa një afat detyrues kohor. Kjo është një tjetër pengesë themelore që i frenon bankat të marrin atë që u takon nga klientët e tyre “të këqij’. Sipas bankave, ekzekutimi i kolateralit tenton të jetë shumë i gjatë dhe i lidhur me procese tepër të komplikuara gjyqësore. Shpesh kërkohen ankande të shumta që minimizojnë çmimin e shitjes, ndërsa ekzekutimi i kolateralit pengohet nga debitorët që nuk marrin njoftimet. Ndaj edhe paketa e ndryshimeve ligjore që hyn në fuqi i lehtëson këto procedura.
MAPO

Add new comment