FMN: Ekonomia e Rajonit në ngritje, Shqipëria stabël

Postuar në 02 Shtator, 2013 10:13

Sipas të dhënave të Fondit Monetar dhe EUROSTAT-it, Maqedonia, Serbia, Turqia, Kosova dhe Shqipëria kanë qëndruar në terrenin pozitiv të rritjes, ndërsa vendet e BE-së, si Greqia, Italia dhe Kroacia janë me rënie. Shqipëria paraqitet stabël, pa provuar asnjëherë recensionin

 

 

Viti 2013 ka shënuar ritme më të larta rritjeje në ekonominë e vendeve të rajonit. Shumë prej tyre kanë dalë nga recensioni i vitit të shkuar, duke shënuar një rritje pozitive në tremujorin e parë të vitit dhe me sinjale pozitive edhe për tremujorin e dytë. Sipas të dhënave të Fondit Monetar dhe EUROSTAT-it, Maqedonia, Serbia, Turqia, Kosova dhe Shqipëria kanë qëndruar në terrenin pozitiv të rritjes, ndërsa vendet e rajonit që janë anëtare të BE-së, si Greqia, Italia dhe Kroacia kanë shënuar edhe këtë vit rënie. Shqipëria paraqitet me një rritje të stabilizuar, pa provuar asnjëherë recension në vitet e paskrizës, ndryshe nga vendet e tjera.

Rajoni

Ekonomia italiane tashmë në krizë vijon me rënie edhe këtë vit, duke pasqyruar tkurrjen në sektorin e shërbimeve dhe të prodhimit industrial. Të dhënat për tremujorin e dytë tregojnë përmirësim të eksporteve neto, si pasojë e tkurrjes së importeve, por edhe një performancë të dobët të sektorit të ndërtimit dhe prodhimit industrial. Ndërsa ekonomia e Greqisë ka vijuar të ndjekë trajektore rënëse në tremujorin e parë të vitit, duke treguar ecurinë e dobët të shpenzimeve konsumatore dhe të investimeve. Në të kundërt me këto zhvillime, ekonomia e Turqisë ka përshpejtuar normat rritëse në tremujorin e parë të vitit, duke arritur normën vjetore prej 3%. Kontribues kryesor për rritjen ka qenë rritja e shpenzimeve publike, ndërsa tkurrja e investimeve private dhe rënia e eksporteve neto ndikuan negativisht. Të dhënat e tërthorta për aktivitetin ekonomik tregojnë për zhvillime pozitive deri në muajin maj, megjithëse trazirat politike që nisën në muajin qershor pritet të frenojnë rritjen ekonomike për tremujorin e dytë. Sipas parashikimeve, rritja ekonomike për vitin 2013 pritet të jetë 3.2%, një pikë përqindjeje më e lartë se ajo e një viti më parë. Gjithashtu, Serbia, Maqedonia dhe Kosova kanë përshpejtuar normat e rritjes, duke dëshmuar rritjen e investimeve, shpenzimeve konsumatore dhe përmirësimin e tregtisë së jashtme, si pasojë e rënies më të shpejtë të importeve. Të gjithë sektorët e ekonomisë në këto vende kanë shënuar rritje, e prirë kjo nga rritja e fortë e sektorit të ndërtimit. Treguesit e tërthortë japin sinjale të përziera për tremujorin e dytë, duke u luhatur në vlerat e tyre nga muaji në muaj.

Shqipëria

Ekonomia e vendit tonë është rritur me 1.7 për qind në tremujorin e parë dhe pritet të ketë një rezultat më të lartë në tremujorin e dytë, sipas Bankës së Shqipërisë.

Ekspertët parashikojnë që rritja ekonomike në të ardhmen do të përcaktohet në një masë të madhe nga ecuria e konsumit dhe e investimeve në vend. Konsumatorët dhe bizneset shqiptare vazhdojnë të mbeten hezitues në ndërmarrjen e planeve afatgjata të konsumit apo të investimeve, por ato pritet të gjejnë një mbështetje në rritje nga përcjellja më e mirë e politikës monetare lehtësuese. Gjithashtu, natyra e politikës fiskale nga qeveria e re në horizontin afatmesëm do të përbëjë një faktor tjetër vendimtar në zhvillimet ekonomike të kësaj periudhe.

 

 

 

Vendet                        PBB (tremujori I)

 

Italia                -2.3

Greqi               -5.3

IRJ Maqedoni 2.9

Serbi                2.1

Kroaci             -1.5

Turqi                3.0

Kosovë            4.5

Shqipëri           1.7

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.