Agimi i Artë, protestë për Përmetin në Kapshticë

Postuar në 02 Shtator, 2013 16:24

Militantë të partisë neonaziste kanë protestuar për konfliktin e kishës së Përmetit: Na morët kishën ortodokse, të ikin emigrantët shqiptarë nga Greqia

Militantë të partisë neonaziste greke, “Agimi i Artë” u tubuan mesditën e djeshme në pikën kufitare të Kapshticës në një protestë, e cila zgjati më shumë seç ishte parashikuar. Drejtori i kufirit, Ylber Zyberi, konfirmoi për mediat këtë protestë. Forca të shumta policore monitoruan situatën në të dyja anët e kufirit për të shmangur ndonjë incident të mundshëm, ndërkohë që pati edhe përforcim të kufirit. Zyberi bëri me dije se për shkak të protestës u vendos të ndërpritej puna në pikën kufitare të Kapshticës dhe asnjë qytetar shqiptar nuk u lejua për të kaluar në tokën greke, me qëllim shmangien e ndonjë përplasjeje të mundshme. Protesta është zhvilluar si pasojë e ngjarjeve që lidhen me kishën e Përmetit. “Na morët kishën ortodokse, të ikin emigrantët shqiptarë nga Greqia!”- mësohet se ka qenë mesazhi i neonazistëve të “Agimit të Artë” gjatë protestës së djeshme. Një tjetër parullë e hedhur gjatë protestës ishte “Atje, atje, atje në Përmet flamurin grek do ngremë përsëri!”. ‘Agimi i Artë’ ka paralajmëruar protesta të tjera të së njëjtës natyrë dhe me të njëjtin motiv. Emigrantët shqiptarë, të cilët kanë mundur të kalojnë kufirin, thanë se militantët e “Agimit të Artë” nuk u kanë krijuar probleme. “Kishte shumë forca policie, por ne nuk patëm probleme”, u shprehën emigrantët. Ata thanë se nuk kishin dijeni për arsyet e protestës. “Nga kufiri deri këtej radha ishte e pazakontë”, u shpreh një emigrant shqiptar.
“Pamë një grup policësh. Për mua, nuk ka pse të jenë gjithë ata policë në rrugë, mbase po ruajnë qetësinë, por pse na pengojnë tanët?” – u shpreh një emigrant. “Erdhëm nga Lefkadha dhe pamë një autobus me policë. Dëgjuam se do bëhej një protestë nga ‘Agimi i Artë”, – tha një zonjë, e cila shtoi se gjatë protestës nuk ka pasur provokime për emigrantët shqiptarë.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.