Ekzekutim mafioz mbi ndërtuesin e dënuar për drogë në Itali

Postuar në 03 Shtator, 2013 17:24

Katër plumba pistolete i kanë marrë jetën një 40-vjeçari që kishte kapërcyer nga burgu për trafik droge në Itali, në biznesin e ndërtimeve në Shqipëri. Plarent Cani është qëlluar për vdekje në një lokal të plazhit “Teuta” në Durrës, ku rrinte shpesh kohët e fundit për të mbikëqyrur punimet e pallatit që po ndërtonte. Ai ndodhej në shoqërinë e shoferit të tij në momentin e krimit, ndërsa punëtorët po shtronin fijet e hekurave për t’i vënë soletën katit të nëndheshëm. Dëshmitarët tregojnë se ende pa mbaruar kafenë, përballë Plarent Canit ka ndaluar një motoçikletë mbi të cilën ndodheshin dy persona të veshur me të zeza. “Kishin në kokë kaskat dhe askush nuk mundi t’i njihte. Njëri prej tyre nxori një pistoletë ‘Bereta’ dhe qëlloi 4 herë në drejtim të tij”, – i tha MAPO-s një burim nga vendi i ngjarjes. Dy nga plumbat e zunë në kokë dhe një i tretë në gjoks Canin. Ndërkaq, një plumb tjetër përshkoi xhamin e fasadës së lokalit tejpërtej duke përfunduar brenda në lokal. Shoferi i Canit, katër punëtorë të objektit si dhe disa kalimtarë të rastit i dhanë ndihmën e parë dhe me makinën “Audi Q8” e nisën drejt spitalit të Durrësit, ku ndërroi jetë vetëm pak minuta pas mbërritjes.

Hetimi

Pas mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes, ekspertët administruan katër gëzhoja të kalibrit 9 mm. Po ashtu, policia shoqëroi mbi dhjetë vetë që ndodheshin në vendin e ngjarjes në momentin e krimit, të cilët sipas burimeve janë punëtorë të objektit që po ndërtonte Plarent Cani, por edhe dëshmitarë okularë. Efektivat blu shoqëruan për t’u marrë dëshmi edhe disa klientë dhe kamerierin, që ndodheshin në lokalin ku ai u qëllua me armë zjarri nga dy persona të panjohur. Policia tha se kishte gjetur në vendin e ngjarjes katër gëzhoja të kalibrit 9 mm, që besohet se i përkasin një arme të llojit ‘Bereta’. Sipas burimeve, viktima ka pasur në trup dhe në kokë tri plagë, ku policia ka gjetur edhe tri predha plumbash. Veç dëshmive të marra nga persona që ndodheshin në vendin e ngjarjes, janë sekuestruar edhe kamera të bizneseve të ndryshme në segmentin e rrugës ku ndodhi ngjarja, si dhe kamera vëzhguese në rrugë të policisë. Dëshmitë e marra, veç rrethanave të ngjarjes nuk ndihmuan shumë në zbardhjen e krimit apo identifikimin e mundshëm të autorëve. Po ashtu, policia paraprakisht ka kërkuar për të marrë në pyetje të afërm dhe miq të Plarent Canit, të cilët mund të kenë dijeni mbi konfliktet apo mosmarrëveshjet e tij. Hetuesit përjashtuan paraprakisht pistën e konfliktit të pronësisë, pasi nga verifikimet e kryera nuk ka rezultuar ndonjë i tillë, e po ashtu edhe pagesat për punonjësit e tij kishin qenë korrekte. Kjo ka bërë që policia ta orientojë pistën e hetimit drejt konflikteve të vjetra apo të vona të Plarent Canit në Itali.

Skeda e viktimës

Burime të sigurta nga policia e Durrësit thanë se po hetojnë në pistën e trafikut të drogës, për të cilën Plarent Cani ka qenë në burg në Itali. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ai ishte dënuar me 14 vjet burg nga një gjykatë e Milanos dhe ishte kthyer në Durrës në vitin 2006, pasi kishte përfunduar dënimin. Me t’u kthyer nga Italia, ai ishte përfshirë në biznesin e ndërtimit, ku aktualisht kishte disa pallate në proces.

Sipas policisë, hetimet deri më tani janë përqendruar në mundësinë e një prishjeje të mundshme të pazareve të drogës, veprimtari për të cilën ai është dënuar në Itali dhe ka vuajtur dënimin prej 14 vitesh të dhënë nga gjykata e Milanos. Ndërkaq në vitin 2006, Plarent Cani, 40 vjeç, nga Durrësi, ka përfunduar vuajtjen e burgut për këtë dënim dhe është kthyer në Shqipëri nga Italia. Burimet e policisë thonë se Cani pas ardhjes në Shqipëri është përfshirë në biznesin e ndërtimit në vend, duke realizuar një sërë ndërtimesh dhe objektesh rezidenciale në qytetin e tij. Ende nuk dihet nëse gjatë kësaj kohe ai ka qenë i angazhuar sërish në aktivitetet e paligjshme, për të cilat është dënuar në Itali, por burimet e policisë thonë se janë duke verifikuar këtë mundësi. Ai banonte në një kompleks rezidencial banimi në qytetin e Durrësit, pranë Ujësjellësit, objekt të cilin e kishte përfunduar vetë së ndërtuari pak kohë më parë, ku apartamenti ndodhet në një prej kateve të fundit të objektit 12-katësh.

 

 

 

“Autorët ikën qetësisht, si të mos kish ndodhur asgjë”

 

 “Duhej të ishte ora rreth 7:30 e mëngjesit. Unë isha lart në shtëpi, ende në gjumë kur dëgjova të shtënat me armë. Menjëherë dola në ballkon të shikoja çfarë po ndodhte. Nuk arrija të dalloja shumë gjëra dhe shkova aty pranë”. Kështu rrëfen një adoleshent, që bën rolin e kamerierit në lokalin ku u vra Plarent Cani. Ndërtuesi rrinte shpesh aty për të monitoruar punimet në kantier dhe në lokal njihej prej të gjithëve. “Ata kishin një motor të zi, të fuqishëm. U larguan me shumë qetësi pas ngjarjes, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Menjëherë punëtorët e ngritën trupin e viktimës dhe e futën në makinë, e dërgoi në spital shoferi i vet me një makinë ‘Audi’, që i përkiste personit të vrarë. Nuk dimë të ketë pasur probleme, pasi me punëtorët e tij shkonte shumë mirë dhe i paguante në kohë”,-tregon adoleshenti. Ai thotë se i ati e njihte si person korrekt dhe kishte një njohje me të që nga koha kur Cani kishte nisur të ndërtonte objektin përballë lokalit të tyre”. “Di që autorët kishin qenë dy persona dhe qëlluan menjëherë drejt Canit, ndërsa shoferi ishte aty bashkë me të duke pirë kafenë. Ishin ulur tek tavolina e mesit, ndërsa makinën e kishin parkuar aty pranë”,- tregoi adoleshenti.

 

 

Pukë, vetëdorëzohet autori i vrasjes

 

Vetëdorëzohet autori i vrasjes së 22-vjeçarit në fshatin Gojan të Pukës. Autori i krimit, Festjon Luka u dorëzua mëngjesin e djeshëm para forcave të Komisariatit të Pukës.
22-vjeçari Bardhok Përndreca u qëllua me plumba pistolete paraditen e së dielës pas një zënke të rastit me bashkëfshatarin e tij. Burime policore konfirmuan se viktima u qëllua nga afër me pistoletë, ndërsa një plumb i ka depërtuar në zemër, çka ka qenë fatale për jetën e tij. Mësohet se një ditë më parë viktima ishte konfliktuar me një bashkëfshatarin e tij dhe sherri ka vijuar edhe paraditen e djeshme. Ofendimet e rënda mes palëve duket se kanë çuar edhe në përdorimin e armëve, duke shkaktuar vdekjen e 22-vjeçarit.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.