De Biazi: Shpresojmë të jemi gati!

Bilanci - Shqipëria ka luajtur 6 ndeshje me Slloveninë, ku regjistron 1 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, me golavarazhin e përgjithshëm 2 gola të shënuar e 5 të pësuar
FIFA - Heshtja e institucionit që drejton futbollin botëror ka bërë që De Biazi të mos marrë në konsideratë aktivizimin e Abrashit, Gashit, Mehmetit dhe V. Bashës
Mungesat - Lajmi më i mirë për kuqezinjtë është dëmtimi në kavilje i mesfushorit Josip Iliçiç, i cili pritet ta fillojë ndeshjen nga stoli, ashtu si sulmuesi Tim Matavz
Konfirmim për formacionin me një sulmues. Kaçe, nga minuta e parë në mesfushë
Ermal Kuka
Stadiumi “Stozhice” i Ljubljanës do të presë sot një prej ndeshjeve më të rëndësishme të historisë së futbollit shqiptar, atë ku kuqezinjtë luajnë shanset e tyre për kualifikimin në Botërorin 2014. Edicioni i nisur me idenë e rinovimit, ka kaluar çdo parashikim të mundshëm, por në këtë pikë ku çdo rezultat pozitiv merr një rëndësi të jashtëzakonshme, trajneri De Biazi ka vendosur të shfaqet shumë më i kujdesshëm dhe më pak euforik sesa zakonisht.
Deklarata
“Po shkojmë të luajmë një ndeshje të rëndësishme, shpresojmë të jemi gati. Ndeshja është e rëndësishme si çdo tjetër në këtë grup të ekuilibruar. Skuadra ka punuar mirë, gjendja është mirë. Jemi në fillim të sezonit dhe gjithçka varet nga gjendja fizike e lojtarëve”, ishin fjalët e vetme që trajneri italian tha përballë gazetarëve para nisjes drejt Sllovenisë. Por kaq ka mjaftuar për të kuptuar mesazhin se trajneri ka bërë gjithçka kishte mundësi për të përgatitur sa më mirë skuadrën, ndërsa tani ishte në dorën e lojtarëve të tregonin se sa shumë e dëshirojnë një biletë për Brazil 2014.
Formacioni
Tekniku italian duket se ka vendosur përfundimisht të luajë me një sulmues, ndonëse ka ndryshuar ide mbi lojtarët që do të hedhë në fushën e lojës gjatë këtyre katër ditëve grumbullim. Konfirmohet katërshja e mbrojtjes para Berishës, ku nga e majta në të djathtë luajnë Agolli, Teli, Cana dhe Lila. Ndërsa mesfusha do të jetë e mbipopulluar nga 5 lojtarë, me disa ndryshime që janë bërë në varësi të asaj që lojtarët janë shfaqur gjatë këtyre ditëve dhe pamundësisë për të aktivizuar lojtarët që nuk kanë marrë lejen nga FIFA për të luajtur ndeshje zyrtare. Basha dhe Bulku do të kenë detyra kryesisht mbrojtëse në mesfushë, ndërsa para tyre do të vendoset Ergys Kaçe, i cili ka bindur trajnerin italian për t’i besuar një fanellë titullari. Mesfushori i talentuar ka “lejen” për të ndihmuar sulmuesin e vetëm që do të zbresë në fushë nga minuta e parë, Edgar Çani, i cili ka fituar përfundimisht balotazhin me Salihin. Gjithsesi, ndihmën më të madhe ai do ta ketë nga krahët, ku do të rreshtohen “teknikët” Roshi dhe Rama, te të cilët De Biazi ka varur shpresat për një rezultat pozitiv në këtë sfidë. Ndonëse Rama kishte probleme fizike gjatë kësaj jave, trajneri italian ka vendosur ta aktivizojë nga minuta e parë, duke mbajtur në stolin e rezervave Emiliano Vilën.
Kundërshtarët
Në kampin slloven, ndrojtja e ditëve të para të grumbullimit është zëvendësuar nga deklaratat euforike të lojtarëve, të cilët besojnë se mund të fitojnë përballë kuqezinjve. Një gjë të tillë e ka pranuar për mediat vendase Jasmin Kurtiç, një nga lojtarët kyçë të kësaj Sllovenie. “Kjo është dita vendimtare dhe na duhet vetëm të fitojmë, as nuk e mendojmë një rezultat tjetër. Por edhe shqiptarët kanë nevojë që të fitojnë, ndaj presim që ata të bëjnë lojë agresive, ndoshta edhe ofensive. Megjithatë, nuk duhet të shqetësohemi shumë për kundërshtarin, ne duhet të mendojmë vetëm për lojën tonë. Hakmarrje për humbjen në Tiranë? Mos përdorni atë fjalë, është thjesht futboll. Duhet të fitojmë se nuk kemi alternativa të tjera”, tha mesfushori që aktivizohet në Itali me Sasuolo, i ndërgjegjshëm që kjo është një finale për Slloveninë, që nuk ka luksin të gabojë qoftë edhe një nga 4 takimet e mbetura. Megjithatë, trajneri Katanec duket se preferon të ruhet nga kuqezinjtë, e për këtë arsye ka vendosur që të mos rrezikojë një skemë me 2 sulmues, duke ulur në stol Tim Matavz, ndërsa edhe Josip Iliçiç do të jetë rezervë, pasi vazhdon të ketë probleme në kavilje dhe mund të luajë vetëm në pjesën e dytë të ndeshjes.
SHQIP
Add new comment