Ambasadori Mal Berisha i bën lajka Kryeministrit Berisha

- Ambasadori i bën elozhe kryeministrit...të vendit të vet. Zakonisht diplomatët e përdorin këtë mjeshtri për kortezi në vendet ku atashohen dhe shërbejnë, por ky i yni në Londër, Mal Berisha, i shkruan kryeministrit Berisha thjesht për t’i bërë lajka. Kjo ka ndodhur menjëherë pas mbledhjes së fundit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Berisha, e cila me sa duket është ndjekur me kërshëri dhe nga ambasadori ynë në Britaninë e Madhe, Mal Berisha. Një ditë pas postimit nga kryeministri Berisha të fotove të mbledhjes së fundit, ambasadori ynë në Britani i ka thurur një varg të gjatë me lajka duke e cilësuar Berishën si profesorin që u mësoi shqiptarëve demokracinë. Ja se çfarë shkruan në komentin e tij tek faqja e kryeministrit Berisha ambasadori ynë në Britani.
“I dashur Doktor! Në historinë më të re të Shqipërisë, ju jeni jo vetëm Profesori i Kardiologjisë që u mësoi studentëve shqiptarë profesionin e nderuar të mjekut në pavionin e spitalit dhe në katedrën e Fakultetit të Mjekësisë, por na mësove edhe leksionin më të madh të demokracisë. Edhe këtë të dytën na e mësove sa në fushën e betejës kundër diktaturës, aq edhe në katedrën e institucioneve demokratike. Kur sheh bilancin e këtyre viteve, nga kjo lartësi na duket edhe më i thellë honi i tmerrshëm prej nga dolëm. E morët një Shqipëri me 750 mijë bunkerë, një popull të paushqyer, të paparë e të padalë, të mjeruar e të pa shpresë dhe po e dorëzoni këtë vend, të sigurtë, aleat me fuqitë më të mëdha demokratike të botës, anëtare të NATO - s, me kufij tëkontrolluar me sistemet më të përparuara të botës, por edhe më të lirin për t’u kaluar.
Nga një popull që nuk kishte pasaporta udhëtimi tek një popull që udhëton i lirë në tërë Europën. Një vend që nuk kishte as edhe një dyqan berberi privat, në një vend me liri të plotë tregu. Një vend me një tunel 30 metra të çarë në një shkëmb me tunele të ngjashme me ato të Simplonit: Një vend pa asnjë kilometër autostradë, në një vend me një rrjet autostradash moderne si ato të perëndimit, një vend me porte detare të rrethuara me bunkerë me fuqi të lartë zjarri luftarak, në një vend me porte moderne ku ndalojnë kroçerat më të mëdha të botës; një vend me një sistem shtypës të çdo lirie, në një vend me median më të lirë në botë. Një vend të mbushur me pika hapje ushtarake në çdo fshat, në një vend që organizon stërvitjen më të mirë ushtarake të marinës, jo vetëm në rajon, por brenda vetë NATO-s, me aleatë si SHBA dhe Britania e Madhe. Një vend plot me burgje politike dhe kampe internimi në një vend të lirë, një vend pa të drejtë zgjedhjeje politike, në një vend që populli votoi i lirë. Është e pamundur të bëhet një bilanc i plotë i tërë asaj që bëtë dhe arritët me aq sakrifica, mundim, përpjekje, përkushtim mbinjerëzor, titanik. Është e pamundur që të përmenden tërë reformat që e kthyen Shqipërinë nga një vend i ngjashëm gati me askënd, në një vend të ngjashëm me vendet Europiane. Mirënjohje, respekt të thellë, urime, dhe jetë të gjatë e të lumtur me të dashurit tuaj, që të gëzoni bashkë me çdo shqiptar, i majtë apo i djathtë që i gëzon këto të drejta, që ka ngritur biznesin, që nuk ka më frikë, që shkel me këmbë apo makinë luksoze në rrugët që Shqipëria i përftoi pikërisht në bazë të këtij vullneti e përkushtimi. Faleminderit!”. Mal Berisha në datën 27 qershor 2013, i dorëzoi Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut, Mbretëreshës Elizabeta II.
Diplomati ynë në Britani mbahet mend për përpjekjet e tij 15 vjeçare për t’u emëruar ambasador. Në vitet 1993-1997 shërbeu si konsull i Shqipërisë në Stamboll. Gjatë viteve 1998-2000 është marrë me çështjen e Kosovës pranë Ligës Qytetare Shqiptaro - Amerikane në Nju Jork, ShBA. Nga viti 2000 deri në Mars të vitit 2009 ka punuar në Departamentin e Drejtësisë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Pas disa orvatjesh të dështuara për tu bërë ambasador në Gjermani, në 17 shkurt 2012 me vendim të qeverisë bëhet i Ngarkuar me Punë në Britaninë e Madhe, para se të merrte edhe detyrën si ambasador.
Shekulli
Add new comment