Mbahet seanca e parë plenare

Është zhvilluar pasditen e së hënës seanca e parë plenare e legjislaturës së re, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.
Të pranishëm në këtë seancë ceremoniale, që ka zgjatur vetëm pak minuta, kanë qenë përveç deputetëve të zgjedhur edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe të komuniteteve fetare.
Pas dëgjimit të himnit kombëtar, për të cilin u ngritën në këmbë të gjithë ligjvënësit, Namik Dokle ka marrë drejtimin e seancës në cilësinë e deputetit më të vjetër.
“Deklaroj të hapur mbledhjen e parë të legjislaturës së tetë të Shqipërisë. Kjo legjislaturë është e para në histori që nis pa bojkot. Kjo, falë deputetëve të zgjedhur dhe popullit shqiptar. Aty ku është urrejtja të sjellë dashuri, ku është ndarja të sjellë bashkim”, ka deklaruar Dokle në fjalën e tij.
Më pas, deputeti i PS ka lexuar emrat e të gjithë të zgjedhurve, si dhe në bazë të rregullores ka zgjedhur deputetët që do të drejtojnë përkohësisht sekretariatin e Kuvendit. Duke qenë se kjo detyrë u takon tre deputetëve më të rinj, ata janë: Ylli Shehu, Klajda Gjosha dhe Olta Xhaçka.
Më pas, drejtuesi i seancës ka lajmëruar ngritjen e Komisionit të përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, anëtarët e të cilit janë zgjedhur nga krerët e grupeve parlamentare.
Kështu, Gramoz Ruçi nga PS emëroi: Armando Subashi, Vexhi Muçmata, Ermonela Felaj dhe Besnik Bare; Edi Paloka nga PD: Fatjona Ademi, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani dhe Gerti Bogdani; Petrit Vasili nga LSI: Vangjel Tavon.
Pas kësaj zoti Dokle ka mbyllur seancën përuruese të legjislaturës së re, duke njoftuar vazhdimin e saj ditën e martë në orën 11:00. Në këtë seancë, Komisioni për Verifikimin e Mandateve do paraqesë raportin për deputetët e zgjedhur, i cili do të duhet të miratohet.
Ndërkohë, pas proçedurës së betimit të deputetëve do të jetë procedura e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, që do të jetë kryetari i LSI, Ilir Meta. Ky i fundit do të zgjedhë nënkryetarët.
Arvizu: Presim bashkëpunim në Kuvend
Në përfundim të seancës ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Alexander Arvizu ka përshëndetur deputetët e zgjedhur duke u uruar suksese në punën e tyre.
“Dua të shpreh përgëzimet më të mira në emër të Shteteve të Bashkuara të gjithë 140 deputetëve të sapozgjedhur. Mendoj se 40 për qind e tyre janë të rinj, 40 për qind të tjerë janë rizgjedhur dhe jam shumë i kënaqur me numrin e grave deputete dhe atyre që do të jenë në qeveri. Sot është një ditë për t’u festuar, por ka edhe shumë punë për të bërë. Të gjithë sytë do të jenë tek qeveria, por edhe tek zhvillimet e Parlamentit”, ka deklaruar Arvizu.
Një urim të ngjashëm ka bërë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi “Mendoj se sot është një ditë historike për Shqipërinë”, ka thënë shkurt ai.
/ Top Channel
Add new comment