“Kodi i heshtjes”, Tabaku: Qeveria po bunkerizohet

Postuar në 16 Shtator, 2013 09:58

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me "Kodin e Heshtjes" të vendosur nga qeveria e re, duke e quajtur këtë kod si një autocensurë. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e PD-së, Jorida Tabaku tha se “Kodi i heshtjes”, është kodi  i propagandës së  vjetër me mjete të reja.

 “Qeveria Rama  po starton  duke krijuar një  sistem të mbyllur dhe të  kontrolluar  të informimit  të publikut, ku çdo gjë duhet të kalojë në vrimë të gjilpërës dhe nëpër filtrat e shumëfishtë  që vendos  ky kod midis qeverisë dhe mediave”, tha Tabaku.

“Aktet flasin. Në ditën  e parë të punës qeveria shpalli merakun e saj numër një: si të bunkerizohet dhe si t’u fshihet sa më shumë syve  dhe veshëve të publikut, si  ta prodhojë vetë imazhin  për vete në ofiçinën e saj propagandistike  dhe jo nëpërmjet  hapjes dhe informimit të  drejtpërdrejtë e  pa pengesa  të publikut”.

PD-ja ka sulmuar edhe mediat, duke thënë se disa prej tyre po shtrembërojnë  këto ditë qëndrimet  e të djathtëve.

“Me keqardhje konstatojmë se ky model ka filluar të reflektohet që tani tek disa media, të cilat po cungojnë dhe po shtrembërojnë  këto ditë qëndrimet  e Partisë Demokratike si dhe qëndrimet e papranueshme të zotit Rama karshi opozitës në Parlament. Kështu një medium kombëtar dje fshiu nga ekrani kërcënimin e paprecedent të Ramës drejtuar opozitës, se nëse ankohej për dhunë, ende nuk ka parë se çdo ti punojë!”, thuhet në deklaratë. 

“Partia Demokratike nuk ka patur e nuk ka asnjë iluzion se Rama ndryshe flet e ndryshe vepron.  Pasi tërhoqi  apo reduktoi  në programin qeverisës mbi dhjetë premtime elektorale, duke u afishuar hapur si shumicë e  mashtrimeve dhe fjalës së ngrënë, sot  firmosën aktin zyrtar që  shkallmon transparencën si parim  të qeverisjes  në demokraci”. 

Në fund Partia Demokratike ka thënë se, transparenca dhe Informimi nuk janë zgjedhje, por detyrim  i qeverisë para mediave dhe qytetarëve.

 

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.