Eksploziv policit, 20 minuta pas kërcënimit

Postuar në 17 Shtator, 2013 04:04

Oficeri i krimeve, Kujtim Çardaku: Më telefonuan dhe më thanë se do të më vrasin.Kur oficeri i krimeve, Kujtim Çardaku, po shkonte në shtëpi, dikush e ka telefonuar me numër të panjohur dhe e ka kërcënuar se do ta vrasë. Vetëm 20 minuta më vonë, kur ai ka hipur në makinën e tij, një sasi e konsiderueshme eksplozivi ka shpërthyer duke e plagosur rëndë. Objekti i këtij atentati të rëndë, që ka ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës, oficeri i krimeve, Kujtim Çardaku, kishte gjithë jetën që punonte me antikrimin dhe së fundmi ishte me detyrë në Drejtorinë e Policisë së Lezhës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e pasdites, kur punonjësi i policisë, Kujtim Çardaku, 37 vjeç, ka qenë i vetëm, duke hyrë në automjetin e tij privat, që e kishte të parkuar pranë turizmit. Në momentin që ka ndezur makinën është aktivizuar dhe lënda plasëse, e cila ka shkaktuar një shpërthim tepër të fortë. Për pasojë, punonjësi i policisë është nxjerrë nga makina në gjendje të rëndë për jetën dhe aktualisht është në reaminacion, në spitalin rajonal të Shkodrës, ndërkohë që familjarët e tij kanë kërkuar transportimin e tij drejt Tiranës, ose të dërgohet jashtë vendit.

Menjëherë pas shpërthimit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, por edhe të FNSH-së, të cilat kanë rrethuar vendin e ngjarjes. Nga veprimet e para hetimore është konstatuar se në mjetin “Alfa Romeo”, me targa të huaja BK043RY ishte vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi. Ekspertët e antiterrorit mendojnë se lënda plasëse është vendosur në pjesën e poshtme të makinës, pikërisht pranë sediljes, ku qëndron shoferi. Gjithashtu, ekspertët shpjeguan se lënda plasëse mund të jetë lidhur me sistemin e ndezjes së automjetit, por më shumë dyshohet se mund të jetë aktivizuar në distancë me telekomandë ose nëpërmjet telefonit. Kjo do të thotë se atentatorët kanë vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së tyre dhe nuk kanë qenë shumë larg, pasi kanë parë që ai është futur në automjet dhe më pas kanë aktivizuar nga distancë lëndën plasëse.

Ndërkaq, një grup hetimor ka shkuar menjëherë në spital dhe ka kontaktuar me stafin mjekësor në lidhje me gjendjen e të dëmtuarit, ku mësohet se një infermier ka deklaruar se në momentin që po transportonte të plagosurin nga eksplozivi, para se të humbiste ndjenjat, është shprehur se 20 minuta para atentatit e kishin kërcënuar, duke i thënë se do ta vrisnin. Nisur nga kjo dëshmi, policia ka kërkuar që prokuroria të zbardhë sa më shpejt të jetë e mundur tabulatet e telefonit të oficerit të krimeve, me qëllim identifikimin e autorëve të këtij atentati të rëndë.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.