21 Janari, vetëm përfaqësues të ambasadës së SHBA-ve në seancë

Postuar në 17 Shtator, 2013 04:07

Ditën e sotme ka nisur seanca në Gjykatën e Apelit për vrasjet në protestën e 21 Janarit. Mësohet se në këtë seancë nuk është paraqitur asnjë nga familjarët e viktimave, por vetëm përfaqësues të ambasadës amerikane.

Kryetar i çështjes është caktuar Agim Bendo,  kryesues i trupit gjykues është Ervin Metalla. Ndërsa  prokurorë janë Shkëlqim Hajdari dhe Altin Dumani. Avokati mbrojtës i Ndrea Prendit është Gjenc Gjokutaj; i Agim Llupos, Besnik Çerekja.

Prokurori i çështjes Shkëlqim Hajdari ka deklaruar se vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë për 21 Janarit nuk ishte i drejtë. Sipas tij, demonstruesit nuk ishin të armatosur dhe Garda ka qëlluar drejt tyre.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur shumë gëzhoja të cilat vërtetojnë se është qëlluar me plumba të vërtetë. Është qëlluar nga Kryeministria drejt turmës dhe asnjëherë anasjelltas, nuk është qëlluar vetëm në ajër. Akuza ndaj Prendit dhe Llupos janë personale dhe jo ndaj Gardës. Prova janë edhe ekspertizat e trupave të personave që humbën jetën dhe të plagosurit.  Është qëlluar në organet jetësore, pasi viktimat plagët i kanë në kokë dhe gjoks”, është shprehur Hajdari.

Por pala mbrojtëse është shprehur se Garda ka respektuar ligjin gjatë protestës së 21 Janarit.

Në seancën e sotme mungonin dy të akuzuarit për ngjarjen e 21 Janarit, ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi dhe ish-gardisti Agim Llupo, të cilët përfaqësoheshin në seancë nga avokatët mbrojtës.

Pas vendimit të gjykatës së Tiranës, e cila shpalli të pafajshëm Ndrea Prendi, për vrasjen e Faik Myrtajt, dhe Agim Llupo, për vrasjen e demonstruesve Ziver Veizi dhe Hekuran Deda, prokuroria apeloi vendimin duke i qëndruar të njëjtës akuzë vrasje me dashje. Ndërkaq vrasja e Aleks Nikës vijon të mbetet pa autor.

/Shekulli 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.