Ministritë ende pa strukturë, sot ndryshimet në mbledhjen e Qeverisë

Postuar në 18 Shtator, 2013 03:55

Kryeministri Rama do të mbledhë sot pasdite kabinetin e tij qeveritar, ku pritet të marrë disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me strukturat e disa ministrive, por dhe emërimet e zv.ministrave. Disa ministri, të cilat janë kompozuar rishtas nga qeveria e re, ende nuk kanë miratuar strukturën e tyre, për të bërë të mundur funksionimin sa më shpjet të tyre. 

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit si dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit ende nuk kanë të përcaktuar strukturën e drejtorive të tyre, cilat drejtori do të kalojnë në ministritë e tjera dhe cilat do mbahen nga ministritë ekzistuese.

Kjo situatë ka mbajtur pezull dhe funksionimin normal të tyre, pasi dhe ambientet ende nuk janë përcaktuar në mënyrë përfundimtare. Kjo situatë ka sjellë strehimin e katër ministrive në dy godina, ku Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Energjisë dhe Industrisë janë të vendosura në ambientet e METE-s deri në zhvendosjen e Ministrisë së Mbrojtjes në ambientet e Akademisë Ushtarake. 

Po ashtu dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit është duke u strehuar në ambientet e Ministrisë së Transporteve, ndërsa pret një vendim të qeverisë sot për lirimin e ambienteve ku ka qenë dikur Ministria e Transporteve e ku sot strehohet një numër i madh agjencish shtetërore. Pritet gjithashtu që sot të miratohen disa nga zëvendësministrat e PS, ndërsa mësohet se LSI do të ketë 6 zv.ministra në këtë qeveri.

 

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.