Arvizu-Metës: Presim debat konstruktiv në parlament, ndërkombëtarët sytë nga ju

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu zhvilloi sot një takim me kreun e Kuvendit Ilir Meta, në përfundim të të cilit deklaroi se ndërkombëtarët presin debat konstruktiv dhe funksionim normal nga parlamenti i ri.
“E kam shprehur edhe më herët, që një nga matjet më të mira të normalitetit të Shqipëri është përparimi që duhet të bëjë ajo për një jetë normale. Që gjëra të funksionojnë ashtu siç duhet dhe është e drejtë që gjithë Shqipëria dhe bashkësia ndërkombëtare është duke parë drejt parlamentit, që ai të funksionojë në mënyrë normale. Kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë debate të zjarrta, por është e rëndësishme që këto debate të jenë konstruktive që të çojnë përpara ecjen e vendit”, tha Arvizu.
Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se qeveria e re ka vullnetin maksimal për të bashkëpunuar me opozitën për të përmbushur reformat e kërkuara për integrimin.
“E kam siguruar ambasadorin Arvizu për vullnetin maksimal nga ana ime si kryetar i Kuvendit por edhe mazhorancës parlamentare për të garantuar maksimumin e hapësirës demokratike për opozitën për të mbajtur një bashkëpunim solid dhe afatgjatë në respektim të parlamentarizmit, por edhe të reformave të integrimit europian”, tha Meta.
SHQIP
Add new comment