Bushati: Objektivi ynë, hapja e bisedimeve për anëtarësim. Kufiri? Bisedime serioze me Greqinë

NJU JORK- Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha sot se objektiv konkret i qeverisë së re është fillimi i bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Gjatë një intervistë të drejtpërdrejtë nga Nju Jorku, me Zërin e Amerikës, Bushati tha se qeveria do të punojë shumë për tA ofruar sa më shumë të jetë e mundur këtë datë.
Lidhur me marrjen e statusit kandidat, Bushati tha se është një objektiv i realizueshëm, pavarësisht se dhjetori është shumë pranë.
“Eshtë bërë e njohur se integrimi i vendit, marrja e statusit dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim, përbëjnë një objektiv madhor të qeverisë. Është një çështje që është e mundshme, dhe ne do të përmbushim më së miri këtë objektiv.”- theksoi Bushati, duke shtuar se, i gjithë ky proces nuk do të jetë thjeshtë miratim ligjesh, por do të përkthehet në standarde për shqiptarët.
Bushati tha ndër të tjera se qeveria “Rama” është mjaft e qartë në qëndrimin e saj për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët. Një nga motot e politikës sonë, theksoi ai, është “zero probleme me fqinjët”
“Për fat të keq me Greqinë kjo periudhë është konsideruar nga një menaxhim krizash, ne duam që ta ngrejmë ambicien edhe në raport me Greqinë dhe të hapim një kapitull të ri. Kjo qeveri do të jetë shumë e qartë për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët. Një nga motot e politikës sonë të Jashtme, është zero probleme me fqinjët. Qeveria jonë në raport me Greqinë ka disa terma të cilat janë mbartur me vite apo me dekada, të gjithë këto çështje do të bëhen pjesë e një diskutimi serioz, që mban në vëmendje të drejtën ndërkombëtare, politikën e fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen tonë në BE. Ka një gadishmëri të plotë për të hapur një kapitull të ri me Greqinë, duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare.”- tha Bushati, duke iu referuar hapjes së bisedimeve për marrëveshjen e kufijve detarë.
Sa i përket kërkimit të ekspertizës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bushati renditi disa arsye se pse është kërkuar kjo ekspertizë.
“Po i kërkojmë ekspertizë partnerit tonë strategjik. Kemi një realitet të ri në rajon. Pas anëtarësimit të Kroacisë në BE, Shqipëria është i vetmi vend anëtarë i NATO-s, dhe kërkohet një rol i ri. Kemi një situatë të re në rajon pas marrëveshjes Serbi- Kosovë, e cila imponon një realitet të ri. Së katërti ka pasur situata të ndryshme gjatë kësaj kohe, dhe nuk ka patur një nivel bashkëpunimi, apo ekspertimi me të, që kanë të bëjnë me rajonin. I kam kërkuar zyrtarisht ekspertizë Shteteve të Bashkuara që të kemi një asistencë të vazhdueshme që do të na ndihmojë jo vetëm për të patur një bashkëpunim strategjik, teknika të reja të diplomacisë publike por edhe për një projektim sa më të mirë të shqiptarëve në rajon.”- tha Bushati, i cili theksoi edhe luhatjet në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, për shkak të rritjes së retorikave nacionaliste kohët e fundit.
Bushati tha po ashtu se i gjithë shërbimi me jashtë duhet të ristrukturohet, dhe se kjo do te behet edhe me ndihmën e Baroneshes Ashton, e cila sipas tij eshte treguar e gatshme.
Ministri i Jashtem, Ditmir Bushati po shoqëron kryeministrin, Edi Rama ne nje vizite disa ditore ne Shtetet e Bashkuara.
PANORAMA
Add new comment