Meta kthen mbrapsht draftet e Berishës, pezull projekti për shërbimet sekrete

Hiqen nga faqja e Kuvendit të gjitha projektligjet e mbartura. Në nismat e qeverisë, vetëm ajo e importit të plehrave
Rregullorja - Në faqen e Parlamentit, ndërkohë, nuk figuron as Rregullorja e Kuvendit. Mbase ndryshimi i faqes ka prekur dhe “kushtetutën” e këtij institucioni
Programi - Asnjë nga projektligjet e mbartura nuk figuron në faqen e Kuvendit. Ndërkohë që i vetmi draft është ai i importit të plehrave
BLEDAR HOTI
Kuvendi i kthen mbrapsht projektligjet e miratuara nga qeveria Berisha. Konferenca e Kryetarëve e mbledhur dje paradreke ka vendosur që qeveria “Rama” t’i rishohë draftet e lëna pezull pa u votuar nga legjislatura e kaluar e cila kishte një mazhorancë demokrate. Këtë fakt e ka bërë publik vetë kryeparlamentari Ilir Meta pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. “Do të veprohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe me kompetencat që na jep kjo Rregullore me transparencë të plotë, natyrisht edhe në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, për sa i takon rendit të ditës të Parlamentit. Por sikurse jua thashë, në radhë të parë na duhet të përfundojmë miratimin e të gjithë këtyre projektvendimeve që kemi diskutuar sot në mënyrë që, të kompletohen të gjitha institucionet që drejtojnë Kuvendin dhe komisionet e tij që Kuvendi të fillojë punë me kapacitet të plotë 100%, në drejtim të përmbushjes së atyre objektivave për të cilët funksionon ky Kuvend dhe janë betuar forcat politike që përfaqësohen”, deklaroi Meta. Me mbylljen e legjislaturës së kaluar mbetën pa u votuar 16 projektligje të paraqitura nga ana e qeverisë.
Ligji i shërbimeve sekrete
Në sitin e Parlamentit janë fshirë projektligjet e mëparshme që kanë mbetur nga legjislatura e kaluar. I vetmi projektligj që ekziston është ai qeverisë “Rama” dhe që ka të bëjë “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, shfuqizimi i importit të plehrave. Ky pritet të jetë projektligji i parë që Kuvendi i ri do të shqyrtojë së shpejti. Ndërkohë nuk është përcaktuar asgjë për nismën e ndërmarrë nga demokrati Leonard Demi në legjislaturën e kaluar. Drafti “Për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative dhe të sigurisë”. Ai është hartuar me ekspertët britanikë dhe synon që të normojë mënyrën e kontrollit të shërbimeve sekrete në vend, që nga SHISH, SHKB apo shërbimi sekret ushtarak. Gjithashtu në sitë futen dhe shërbimet e tjera që funksionojnë pranë institucioneve kryesore të shtetit. Kontrolli ndaj shërbimeve sekrete, ai parlamentar, ka qenë përherë një përplasje mes demokratëve dhe socialistëve. Gjatë qeverisjes së Berishës, socialistët kanë akuzuar të djathtët për marrjen nën kontroll të shërbimeve sekrete. Nisur nga kjo përplasje u iniciua drafti “Demi”, i cili u hartua nën konsultën e ekspertëve ndërkombëtarë. Draftet për të drejtën e informimit, “Për masat kundër terrorizmit”, si dhe disa vende vakante në institucione kanë mbetur pezull në Kuvend. Projektligje të tjera lidhen me Kodin e Procedurës Civile, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar të votave. Pa u shqyrtuar janë dhe shtatë marrëveshje të paraqitura nga qeveria, ratifikime dhe që presin për t’u kaluar për votim. Për këto drafte duket se do të merret vendimi paraprak nga ana e qeverisë së re socialiste. Sipas Rregullores së Kuvendit, një draft i dërguar nga ana e qeverisë, në rast se nuk shqyrtohet brenda 6 muajve atëherë del jashtë shqyrtimit. Nuk dihet se çfarë do të realizojë konkretisht qeveria “Rama”, e cila duhet të marrë në konsideratë dhe këto marrëveshje ndërmjet shteteve të ndryshme. Konferenca e Kryetarëve zgjati dje dy orë. Krerët e grupeve parlamentare kanë diskutuar dhe në lidhje me draftet e mbetura duke bërë të ditur se ato do të vlerësohen paraprakisht nga qeveria e re socialiste.
Draftet e mbetura
Për të drejtën e informimit
Për masat kundër financimit të terrorizmit
Kodin e Procedurës Civile
Mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative dhe të sigurisë
“Për organizimin dhe funksionimin e Institutit të Ekspertimit Shkencor”
Për t’u shqyrtuar janë dhe tetë ratifikime marrëveshjesh
Meta takon ambasadorin britanik, Cannon
“Klimë e re bashkëpunuese mes pozitës dhe opozitës”
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti në një takim ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Cannon. Ambasadori Cannon i shprehu Kryetarit të Kuvendit urimet më të përzemërta për detyrën e Kryetarit të Kuvendit dhe e siguroi atë për mbështetjen e plotë dhe të vazhdueshme të vendit të tij si në planin dypalësh, ashtu edhe në drejtim të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit, Meta, duke e falënderuar ambasadorin e Britanisë së Madhe, si një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë, shprehu vullnetin e plotë për intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare midis dy vendeve dhe të grupeve të miqësisë. Ambasadori Cannon mbështeti idenë për intensifikimin e marrëdhënieve ndërparlamentare dhe u shpreh se Kryetari i Dhomës së Komuneve në Parlamentit britanik, John Bercow, dhe Kryetarja e Dhomës së Lordëve, baroneshë D’Sousa kanë shprehur interes për të vizituar Shqipërinë dhe po punohet për realizimin e këtyre vizitave të nivelit të lartë. Kryetari i Kuvendit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë në konsolidimin e institucioneve demokratike, kryesisht në fushat e drejtësisë dhe sigurisë. Në përfundim, Kryetari i Kuvendit theksoi se Kuvendi do të kontribuojë pozitivisht në drejtim të rritjes së klimës bashkëpunuese mes mazhorancës dhe opozitës, e cila duhet të luajë rol të rëndësishëm në miratimin e reformave kyçe për vendin, me qëllim forcimin e stabilitetit dhe progresit në rrugën e integrimit europian. Kryetari i Kuvendit priti gjithashtu dhe ambasadorin e Katarit, Yousuf Hassen Al-Saai.
Shqip
Add new comment