Dezertimi’ i deputetit të PR, Mediu: Kuvendi, si një pazar i gjësë së gjallë

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, komentoi largimin e deputetit të kësaj partie, Luan Duzha për tek Lëvizja Socialiste për Integrim duke e cilësuar si një fenomen shumë shqetësues në politikën shqiptare, që siç tha ai, po e kthen kuvendin në një pazar të gjësë së gjallë.
Më tej Mediu theksoi se nuk i di arsyet që e bënë një deputet të PR të dezertonte për tek LSI, por theksoi se partia e tij qëndron në një linjë me opozitën dhe koalicionin dhe se çështja e opozitës nuk është çështje numrash, por qëndrimesh politike.
“E turpshme është që Kuvendi të kthehet në një pazar të gjësë së gjallë. Është një fenomen që nuk është i pari, shpresoj të jetë i fundit. Çështja e opozitës nuk është çështje numrash, por çështje qëndrimesh politike. PR është në të njëjtën linjë me opozitën”, tha Mediu.
Komentet e Mediut u bënë në mbyllje të mbledhjes së grupit të PD me aleatët, ku u diskutua lidhur me qëndrimin që do të mbahet pas shtyrjes së zbatimit të ligjit për nëpunësin civil.
Shqip
Add new comment