Rama pret diplomatët: Në një mendje me Berishën, presim statusin se e meritojmë

Postuar në 02 Tetor, 2013 16:44

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e së mërkurës një pritje për trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, me rastin e marrjes së detyrës. Në fjalën e tij në këtë ceremoni, Rama ka vlerësuar mbështetjen që vendet evropiane dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë, duke e kthyer bashkëpunimin në miqësi.

“Në momente të vështira miqtë ndërkombëtarë i janë gjendur pranë Shqipërisë. Partneriteti me miqtë tanë na bën mirënjohës ndaj tyre”, ka deklaruar Rama.

Duke theksuar se qeveria e tij do të bëjë gjithçka të mundur për të merituar statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, kryeministri Rama tha se mbetet dakord me paraardhësin e tij, Berisha kur thoshte se “Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton”.

“Europa është një destinacion brenda nesh. Më shumë Europë, nuk do të thotë më pak Amerikë për Shqipërinë. Nuk kemi iluzione, integrimi evropian është mjaft lehtë të thuhet dhe i vështirë të bëhet. Mbetem dakord me paraardhësin tim, kur thoshte se Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton. Do të bëjmë gjithçka për të kërkuar atë që meritojmë, statusin e vendit kandidat.”- u shpreh Rama.

Në këtë kontekst, ai ka paralajmëruar edhe mbajtjen në nëntor të një konference ndërkombëtare, për të diskutuar mbi taktikat e luftës ndaj këtyre fenomeneve negative. Një tjetër pikë e prekur prej Ramës ka qenë ekonomia, për të cilën, siç tha ai, ekzekutivi është i përgatitur për reforma të thella dhe një strukturë të re qeverisëse.

“Nuk na mungojnë zgjidhjet për të zgjidhur ngërçin në ekonomi. Do sjellim kthimin e rrugës së ekonomisë në normalitet shumë më herët sesa vonë”, ka thënë Rama.

Ai ka premtuar edhe transparencë dhe lehtësi për investimet e huaja, të cilat sipas tij në shumë raste janë mbuluar nga hija e errët e aferave të qeverisjeve të mëparshme. “Edhe shërbimi diplomatik shqiptar do të vijë me një qasje të re. Ne jemi të vendosur të forcojmë partneritetin strategjik në trekëndëshin Itali-Turqi-Greqi”, ka vijuar më tej Rama.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe konfliktin në Siri. “Për Sirinë qëndrimi i Shqipërisë është përkrah Shteteve të Bashkuara”, ka pohuar kryeministri, i cili e ka mbyllur fjalimin e tij duke thënë:

“Të ardhmen ne e shohim krah për krah me Bashkimin Evropian dhe SHBA, aleatët tanë strategjikë. Aleancë, që me ambasadorët e tyre këtu në Tiranë, Sequi dhe Arvizu, është bërë me e fortë”.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.