Nishani, takim “të jashtëligjshëm” me Mediun

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot takime konsultuese me kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit për emërimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Fillimisht ai u takua me kreun e grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Më pas me kreun e grupit të Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe më pas me radhë Petrit Vasilin e LSI-së, Shpëtim Idrizin e PDIU-së dhe Fatmir Mediun e PR-së.
Ky i fundit në fakt nuk është më kryetar grupi në Kuvend, pasi grupi parlamentar i PR-së nuk ekziston më pasi nuk plotëson numrin e domosdoshëm prej shtatë deputetësh pas largimit të Luan Duzhës tek LSI.
Takimet zhvilloheshin në kuadër të konsultave për emërimin e zëvendësuesit të Bashkim Dedes. Njoftimi zyrtar i Presidencës ishte për takime konsultuese me krerët e grupeve parlamentare. Ndërsa në njoftimin e sotëm për shtyp, zyra e shtypit vetëm sa ka publikuar fotot e takimeve me shënimin: Presidenti Nishani zhvillon takime konsultuese me përfaqësuesit e partive parlamentare për emërimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
SHEKULLI
Add new comment