Emërimet, drejtoritë ku ende nuk janë caktuar titullarët

Ministria e Arsimit, dikasteri më i ngadaltë për lëvizjet
Rrethet - Procesi i emërimeve të drejtuesve të institucioneve kryesore në rrethe nuk ka nisur ende. Kjo pasi vijon negocimi mes deputetëve të qarqeve dhe kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka vendosur ta drejtoj këtë proces.
Koha - Procesi i vendosjes së njerëzve të rinj në institucionet dhe agjencitë kyçe pritet të zgjasë deri në muajin dhjetor.
Fatjona Mejdini
Pavarësisht se qeveria ka një muaj e ulur në zyrën e Këshillit të Ministrave, një pjesë e mirë e emërimeve të saj në drejtoritë kryesore të disa ministrive nuk janë nisur. Në muajin e parë, vëmendja e qeverisë është përqendruar tek emërimet në dikasteret kyç siç janë tatimet, doganat dhe tek agjencitë dhe institucionet në varësi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, ajo e Transportit, Drejtësisë si dhe te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ndërkaq, një sërë drejtorish dhe agjencish të tjera të rëndësishme në vend, kryesisht ato që lidhen me Ministrinë e Financave, Arsimit, Kulturës, Mjedisit, Bujqësisë nuk kanë kryer ende emërimet në agjenci dhe institucione kyçe që kanë në varësi. Në javët në vijim pritet emërimi i njerëzve në institucionet kyç në rrethe, pas negociatave që deputetët sipas qarqeve kanë bërë me kryeministrin Edi Rama.
Mungesat
Në emërimet e reja të bëra mungojnë ato në një sërë institucionesh që kanë varësi nga ministri si ajo e Arsimit dhe Sporteve. Pritet ende emërimi i njerëzve në disa institucioneve kyç që ka kjo ministri si Agjencia Kombëtare e Provimeve, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë, Instituti për Zhvillimin e Arsimit, Qendra e Studimeve Albanologjike, Shtëpia Botuese e Teksteve Mësimore si dhe Agjencia e Shërbimit të Sporteve. Mungesa në emërime ka dhe në disa drejtori të rëndësishme dhe kyçe në Ministrinë e Financave. Pavarësisht se disa nga institucionet kyçe që ka në varësi kjo ministri si tatimet, doganat dhe njësia e lojërave të fatit janë caktuar titullarët, ende mbeten pa u bërë emërime të reja, drejtori tepër të rëndësishme siç janë Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, e Buxhetit, Politikave Makroekonomike dhe Fiskale, e Menaxhimit të Borxhit Publik, ajo e Shërbimeve Mbështetëse, e Financës dhe Buxhetit, e Auditit të Brendshëm, e Inspektimit Financiar Publik, e Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit dhe e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Ndërkaq, në drejtori shumë të rëndësishme në Ministrinë e Mjedisit, që kanë të bëjnë me elemente kyç ku bazohet puna e këtij dikasteri, ende nuk janë kryer emërimet. E njëjta gjë ka ndodhur dhe tek Kultura dhe Ministria e Bujqësisë.
Emërimet
Ministria e Energjetikës dhe Industrisë mund të thuhet që është një nga dikasteret që ka mbyllur emërimet pothuajse në të gjitha dikasteret kyç të saj. Institucione të rëndësishme që ka në varësi kjo ministri, si Albpetrol, KESH, OST ndërkaq kanë emëruar drejtuesit e tyre të rinj. E njëjta gjë ka ndodhur dhe tek Ministria e Drejtësisë, ku institucione si Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ndërkaq janë bërë me drejtues të rinj. Disa nga agjencitë më të rëndësishme të Ministrisë së Mirëqenies Sociale gjithashtu janë emëruar. Tashmë, agjencitë kyçe të transportit ajror, siç janë ANTA dhe Aviacioni Civil drejtohen nga përfaqësues të rinj.
Ambasadorët
Gati rotacioni i trupës diplomatike
Pavarësisht se pjesa dërrmuese e ambasadorëve aktualë të Shqipërisë nëpër botë janë aktualisht me mandat të përfunduar, Ministria e Jashtme ende nuk ka vendosur t’i propozojë Kuvendit asnjë emër të ri. Emërimi i ambasadorëve të rinj është një proces i cili përfshin në lojë jo vetëm Kuvendin, por dhe Presidentin e Republikës, të cilit i takon firma e fundit për emrat që si fillim propozohen nga Ministria e Jashtme. Ende nuk është vendosur se kur do të jetë koha e këtyre zëvendësimeve, që në pjesën më të madhe të tyre janë shoqëruar me kontestime dhe debate.
Shqip
Add new comment