Tahiri kërkon moratorium për kazinotë: Të ndalohen

Postuar në 16 Tetor, 2013 03:46

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, zhvilluan një takim me pronarët e ligjshëm të kazinove dhe lojërave të fatit në vend. Takimi ka nisur mbrëmë rreth orës 21:00 dhe ka vazhduar deri para mesnate. Njoftohet se ministri i Brendshëm dhe kreu i Policisë kanë kërkuar nënshkrimin e një moratoriumi të përbashkët që gjithë subjektet të pezullojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të përkohshme, derisa të përfundojë hetimi i nisur nga Drejtoria e Tatimeve dhe Antikontrabanda. Zyrtarisht, Ministria e Brendshme tha mbrëmë se takimi mes krerëve të kompanive të lojërave të fatit dhe ministrit të Brendshëm ka pasur si qëllim bashkëpunimin e plotë me qëllim evidentimin e goditjen e subjekteve që veprojnë në mënyrë të paligjshme. Kazinotë, sallat e lojërave të fatit dhe pikat e basteve mund të pezullojnë përkohësisht aktivitetin e tyre për disa ditë, ndonëse mbrëmë nuk janë konfirmuar rezultate konkrete në këtë drejtim.

KAZINOTË E BASTET 
Aksioni kombëtar kundër kazinove dhe pikave të basteve që veprojnë në mënyrë të paligjshme, ka vazhduar dje, duke e çuar në 536 numrin e subjekteve të bllokuara. Këto ishin shifrat e orëve të drekës, pasi në mbrëmje Ministria e Brendshme tha se janë të bllokuara 472 subjekte. Nga orët e drekës deri në mbrëmje, mësohet se janë liruar nga bllokimi plot 64 subjekte, pasi kanë paraqitur dokumentacionin përkatës. Ky ka qenë edhe shkaku i ndryshimit të shifrave të Ministrisë së Brendshme. Në total në dy ditë, mësohet se janë kontrolluar gjithsej 696 subjekte që ushtrojnë aktivitet në kazino, lojëra fati dhe pika bastesh. Prej këtyre, policia ka bërë me dije se në 116 raste janë gjetur shkelje penale, për të cilat janë referuar materialet në Prokurori për pronarët e kompanive kundërvajtëse. Sipas Policisë, shkeljet kanë qenë nga më të ndryshmet, nga ushtrim aktiviteti pa asnjë regjistrim, deri te shmangia e tatimeve, mungesa e kalibrit të pajisjeve të lojës etj. Në ditën e dytë të aksionit “Fundi i Marrëzisë”, policia ka nisur edhe bllokimin e pajisjeve për ato subjekte, të cilat ditën e parë ishin paralajmëruar të paraqisnin dokumentacionin.
BLLOKIMI I PAJISJEVE 
Forcat e Policisë kanë nisur dje bllokimin e pajisjeve kompjuterike të kazinove, që nuk kanë paraqitur dokumentacionin e veprimtarisë së tyre. Në orët e para të  mëngjesit të djeshëm ka pasur përplasje mes policisë dhe pronarëve të një pike lojërash fati pranë shkollës “Partizani”. Të zotët e lokalit shkuan dhe tentuan të heqin 12 makineri kompjuterike, ndërkohë që reaguan efektivat e Policisë duke penguar këtë veprim. Pas disa minutash përplasje fizike, policia shoqëroi tre persona dhe më pas bllokoi 12 aparatura kompjuterike me të cilat luhej me para. Rreth mesditës së djeshme, Policia e Shtetit ka bllokuar në dy raste automjete të ndryshme transporti të mbushura me makineri lojërash fati. Mësohet se një rast është regjistruar në Lezhë dhe më pas e njëjta gjë ka ndodhur edhe në një qytet tjetër të vendit. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pohoi dje se në orët e para të ditës në Lezhë është bllokuar një automjet furgon, tip “Mercedes Benz”, me targë AA 782 BB, pasi në këtë mjet u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale 7 automate (pajisje lojërash fati). Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, Ardi Gjanci, ndaj të cilit ka nisur hetimi. Dyshohet se pronarët e kazinove janë informuar për aksionin e Policisë dhe Tatimeve, duke mbyllur bizneset e tyre dhe ilegalisht janë kujdesur për fshehjen e pajisjeve kompjuterike, me qëllim që t’i shpëtonin ato nga sekuestrimi. Në të dyja rastet, policia i ka bllokuar makineritë në cilësinë e provave materiale, ndërsa pronarët e tyre janë dërguar për ndjekje penale.

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.