PD i jep fund bojkotit, sot deputetët në komisione

Për herë të parë në këtë legjislaturë të re deputetët e Partisë Demokratike do të zënë vendet e tyre në komisionet kuvendore. Pas miratimit të aktit normativ për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil, demokratët kanë marrë vendim që t’i rikthehen jetës parlamentare. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se deputetët e opozitës do të jenë të pranishëm sot në Komisionin e Ekonomisë dhe atë të Veprimtarive Prodhuese.
Në Komisionin e Ekonomisë, ku opozita ka 10 nga 23 deputetët, pika e parë e rendit të ditës është akti normativ për ndryshimin e ligjit të buxhetit. Gjatë mbledhjes së sotme do të diskutohen edhe marrëveshja e qeverisë me Artigiancassa S.p.A. “Për financimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të ullinjve”, marrëveshja e qeverisë me Artigiancassa S.p.A., për programin “Fuqizimi i Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe Agrikulturës për disbursimin e granteve në agrikulturë”m si dhe marrëveshja me Artigiancassa S.p.A. “Për projektin pilot për krijimin dhe testimin e sigurimeve të buta, me qëllim mbulimin e rreziqeve në agrikulturë”.
Gjatë kësaj mbledhjeje pritet që deputetët demokratë të kundërshtojnë aktin normativ, që sipas tyre rrit borxhin dhe thellon deficitin. Në orën 10:00 do të mblidhet edhe Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, i cili gjithashtu do të diskutojë tri marrëveshjet e firmosura nga Ministria e Financave dhe Artigiancassa S.p.A.
Panorama
Add new comment