Dajti ironizon dhe ofendon avokatët

Gjyqi ndaj Dritan Dajtit vazhdon të zvarritet që prej më shumë se dy vitesh. Asnjë nga avokatët nuk pranon të marrë në pyetje të akuzuarin për vrasjen e katër oficerëve të Policisë së Durrësit, më shtatë gusht 2009. Avokatët nuk pranojnë ta mbrojnë Dajtin, pasi ky i fundit i fyen thonë ata. Valentina Deodoresku ishte avokatja e fundit në listën e avokatëve që nuk pranoi në seancën e sotme të mbrojë Dritan Dajtin, duke deklaruar se është ofenduar nga ky i fundit dhe se nuk është paguar nga gjykata, raporton “Shqiptarja.com”.
“Më jepni kë të doni, vetëm Dajtin jo. Më ka ofenduar në qeli. E kam mbrojtur dhe më parë dhe nuk jam paguar nga gjykata”, -ka thënë ajo në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa Dajti qeshte me ironi kur fliste avokatja.
Dajti nuk ka kursyer as ironitë ndaj trupit gjykues, duke thënë se gjyqi tashmë është kthyer kundra avokatëve dhe jo ndaj tij. ”Ky gjyq është kthyer kundra avokatëve. Po merrni masa për avokatët, jo ndaj meje që jam i akuzuar”, -ka thënë Dajti. Dritan Dajti akuzohet se më 7 gusht të 2009-ës qëlloi për vdekje katër oficerët, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Saimir Duckollari, të cilët ishin pjesë e skuadrës që tentoi të arrestonte Dajtin, i cili ishte në arrati që prej shtatë vitesh.
SHEKULLI
Add new comment