LSI kërkon ta kthejë në një vit festimesh 70-vjetorin e Çlirimit

Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar nga Qeveria ngritjen e një Komisioni të Posaçëm që të merret me përgatitjen e vendit për 70-vjetorin e çlirimit të Atdheut nga okupatori nazist duke i dhënë rëndësinë e veçantë festimeve me këtë rast.
Luan Rama, sekretari i përgjithshëm i LSI-së theksoi se në këtë vit është i rëndësishëm edhe rikonstruktimi i të gjitha monumenteve dhe Varrezave të Dëshmorëve në rrethe për ta kremtuar sipas tij me dinjitet këtë ngjarje të madhe për shqiptarët. “Kjo ngjarje e madhe padyshim meriton vëmendje të posaçme, respekt të veçantë, nderim të madh nga e gjithë shoqëria shqiptare. Por është detyrë e qeverisë të krijojë një komision të posaçëm shtetëror, gjithëpërfshirës me qëllim që programimi i çdo detaji dhe festimi të jetë i denjë për këtë ngjarje të madhe. Në emër të LSI-së propozoj që një çështje e veçantë që duhet të meritojë vëmendjen e Qeverisë duhet të jetë edhe rikontruktimi i Varrezave të Dëshmorëve në të gjitha rrethet dhe rikonstuktimi i të gjitha monumenteve të luftës”, tha Luan Rama.
Në vend i vetmi vit kur i është dhënë një rëndësi e veçantë një përvjetori të datës historike ka qenë 100 vjetori i Pavarësisë që u festua me përgatitje të mëdha gjatë gjithë vitit. Ndërkohë data 29 nëntor është një datë që ka përçarë vazhdimisht dy krahët e politikës, pasi e djathta nuk e feston atë zyrtarisht në datën e caktuar dhe nderimet ndaj të rënëve në luftë I bën një ditë përpara më 28 nëntor.
MAPO
Add new comment