Berisha sulmon Lubonjën dhe “mosmirënjohësit”. Analisti: Ai manipulon opinionin, duke i gjykuar njerëzit si Hoxha

Postuar në 10 Janar, 2014 03:43

Ish-kryeministri Sali Berisha është “ngatërruar” njëfarësoj dje, ndërsa ka sulmuar ashpër analistin berisha-ne-zyreFatos Lubonja për përplasjen që ky i fundit pati muaj më parë me një tjetër opinionist, Adri Nurellarin. Berisha i referohet emisionit e “on/off-record” të Opinionit të Blendi Fevziut, të cilin e quan “Pas Perdes apo ‘pa maska”, duke lënë të kuptohet se skena e përplasjes mes Lubonjës që kundërshtonte mundësinë që në Shqipëri të silleshin lëndët kimike Siriane dhe Nurellarit, që nga ana tjetër ishte pro sjelljes, kishte qenë diçka e patransmetuar. Në të vërtetë, përplasja ndodhi në transmetim drejtpërdrejt atëherë dhe u rishfaq si një nga pikat kulmore të “Opinionit”. Sjellja e këtij debati prej ish-kryeministrit si të ishte diçka e re dhe sulmi ndaj Lubonjës, kryesisht duke vënë theksin tek historia familjare dhe lidhja me ish-Bllokun, e ka lënë të habitur të sulmuarin. “Ç’të të them?!”, tha Lubonja dje i kontaktuar prej Mapos në telefon, duke vërejtur se nuk e kuptonte arsyen e akuzave të befta, që po i bëheshin edhe pse jo për herë të parë nga Berisha. Ky i fundit e akuzonte Lubonjën se ishte shfaqur “i shpërfytyruar deri në ekstrem, ishte më shumë se kurrë vetja, uni i tij, ishte sozia e Kadriut, Feçorit, Ariantit, Jorgo Sulit, ishte hetuesi i tij, prokurori i tij, gardiani i tij, i ati i tij. Ai pra me egërsinë njerëzore mund të ishte secili prej tyre”. I burgosur për 17 vjet në burgjet e sistemit diktatorial, Lubonja thotë se i vjen keq që Berisha ende nuk ka kuptuar se individi gjykohet si i tillë dhe jo për ato që ka bërë babai dhe ironikisht shton se kjo ishte mënyra se si i gjykonte njerëzit Enver Hoxha. Nga ana tjetër, analisti i ka kërkuar ndjesë Nurellarit për fyerjen e asaj dite, duke thënë se ishte për shkak të gjendjes emocionale dhe faktit që situata ishte e tensionuar. Ai shpjegon se në atë emision ka kërkuar shpalljen “non grada” të ambasadorit të SHBA dhe madje hetimin e Ramës përmes një procesi “impiçment”. Sipas Lubonjës, kjo duhej të mjaftonte që të paktën në akuzat e lëshuara, Berisha të mos e quante “proRama”. Nga ana e tij, ish-kryeministri Berisha, edhe pse nuk ka përmendur emra të tjerë në letrën që publikoi, siç e quan ai “në vend të statusit” në faqen në Facebook, duket se nuk e ka vetëm me Lubonjën. “…sepse jam ndjerë dhe ndjehem i nderuar nga qëndrimet e tij dhe të ndonjë tjetri që me shpifjet, trillimet, sharjet e tyre bëjnë të kundërmojë urrejtje mjedisin ku flasin dhe faktojnë se çfarë përfaqësojnë. Në fund të fundit, ai dhe ndonjë si i llojit të tij, nuk janë sharës të paguar por vajatorë të pushtetit të etërve të tyre”, shkruan Berisha. Ai nuk ka lënë pa përmendur në sulm edhe kundërshtarin, kryeministrin aktual Rama, të cilin e akuzon për mungesë mirënjohje duke theksuar se kjo është edhe shenjë e mungesës së njerëzillëkut, sepse: “Aty ku mungon mirënjohja, ky virtyt që humanizon njeriun e qytetëruar, pra që bënë sapiensët, njerëzorë, aty sundon urrejtja shtazore e njeriut”, shkruan Berisha. Lubonja nga ana e tij përgjigjet se asnjëherë nuk e ka sulmuar Berishën familjarisht apo personalisht, por politikisht, duke theksuar se kjo është një lojë që ky i fundit bën për të manipuluar njerëzit, duke i sulmuar kundërshtarët me origjinën familjare. “Nuk e di nëse pas 23 vjetësh nuk e ka kuptuar që njeriu gjykohet si individ dhe jo për atë që ka bërë babai, apo e përdor këtë sepse beson që elektorati i tij është budalla”,- tha Lubonja. Analisti thotë ndër të tjera edhe se opozita duhet të ndahet nga kjo gjuhë. “Po ndoqi gjuhën e tij, kjo opozitë s’ka të ardhme”, -thotë Lubonja, duke pasur parasysh atë që kishte shkruar Berisha. Nuk është hera e parë që Berisha sulmon Lubonjën ashpër. Muaj më parë ai e akuzoi atë për shtëpi dhe ndërtime, të cilat i përmend sërish, pas një shkrimi të Lubonjës në lidhje me ndërtimin pa kufizim të heceve të vegjël në vend. Ndërkohë edhe më herët Berisha është përballur me median dhe njerëz të saj që i ka akuzuar rëndë se i “gëzoheshin vdekjeve”. Gjuhë të ashpër kundër medias ka përdorur edhe kryeministri Edi Rama, madje jo më larg se në ditën kur njoftoi se Shqipëria nuk do të pranonte lëndët kimike duke akuzuar median për “sharlatanizëm” dhe nxitëse pa të drejtë të panikut por pa u ndalur në emra konkretë. Ndërkohë për shumë mbetet e paqartë nëse Berisha është revolutuar nga ashpërsia e debatit mes Lubonjës dhe Nurellarit, diçka që nuk ndodhte për herë të parë në TV-të shqiptare apo ka gjetur këtë si motiv për të sulmuar Lubonjën që e sheh edhe si një kundërshtarë të hershëm.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.