5 ministra kulture të përfshirë në një skandal 6 milionë USD

Federatat fantazmë të sportit kanë gllabëruar nga buxheti i shtetit rreth 6 milionë USD në mënyrë të paligjshme. Skandali i zbuluar pak muaj më parë duket se po merr edhe rrugën ligjore dhe juridike, ndërsa Ministria e Arsimit dhe e Sporteve ka dokumentuar gjithçka dhe pritet ta denoncojë në prokurori. Abuzimet janë përmendur edhe disa javë më parë në parlament nga vetë ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, ndërsa bie në sy mënyra e manovrimit që kanë bërë ish-zyrtarët e lartë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Bëhet fjalë për abuzimet e nisura që prej vitit 2005 dhe në vazhdimësi me çdo grant vjetor të buxhetit të shtetit të akorduar për sportin. Nga kontrolli dhe verifikimi dokumentar i kryer, rezulton se përfitues janë të paktën 10 federata sportive të ndryshme, të cilat figurojnë të paregjistruara në Gjykatë. Ndërkohë që për federatat e tjera përfituese, është vënë re se procesi ka qenë i rregullt. Ajo që nuk kuptohet është fakti se si ish-ministrat e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kanë lejuar dhe firmosur shpërndarjen e granteve edhe për 10 federatat fantazmë.
Skandali
Që të përfitosh fonde nga qeveria, duhet patjetër që të jesh një person juridik, i regjistruar në Gjykatën e Tiranës apo në rrethe. Por nga kërkimet e kryera nga grupi i kontrollit, nuk është gjetur asnjë dokument i tillë dhe firmat për lëvrimin e fondeve janë hedhur duke mbyllur njërin sy. Inventari i kryer ka zbuluar të paktën 6 milionë dollarë abuzime të derdhura nga Thesari në drejtim të llogarive të këtyre federatave të paligjshme. Mësohet se janë federata për sporte të ndryshme, por detajet mbahen sekrete për shkak të procesit që po vijon dhe nuk ka përfunduar i gjithi. Burime nga ministria e Arsimit dhe Sporteve bënë me dije se është një grup i tërë ish-zyrtarësh që kanë abuzuar dhe në dijeni kanë qenë edhe drejtuesit e dikasterit, ish-ministrat, që nga Bujar Leskaj, Ferdinand Xhaferi, Ylli Pango, e deri tek Aldo Bumçi dhe Visar Zhiti.
Në dosjet e këtyre federatave mungonin vendimet e gjykatave për regjistrimin, një dokument bazë për të ngritur raportet me një institucion shtetëror dhe për të përfituar fonde nga buxheti. Por ndërsa mbi 25 federata ishin të rregullta, 10 të tjera arrinin të përfitonin edhe pse me mangësi të theksuar ligjore në dokumentacion. Kjo veprimtari është konsideruar shkelje e rëndë dhe si “shpërdorim detyre”, ndaj mësohet se së shpejti do të ndjekë edhe procedurat ligjore në organin e akuzës me kallëzim penal.
Sektori i Sporteve në ish-Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dyshohet si përgjegjësi kryesor që ka lejuar këto procedura duke favorizuar federata të paregjistruara në gjykatë, ndërkohë që në të gjitha rastet shkresat janë firmosur nga ish ministrat sipas radhës.
Dita
Add new comment