Parandalohet arratisja nga burgu, zbardhen detaje të reja

Policia ka zbardhur detaje të reja në lidhje me planin e një arratisje tjetër nga burgu i Drenovës.
Sipas informacioneve më të fundit sharrat e hekurit dhe celularëve në burgun e Drenovës në Korçë janë futur pas arratisjes spektakolare të 7 të burgosurve në muajin nëntor të vitit të kaluar.
Mësohet se sharrat kanë hyrë nëpërmjet ushqimeve në sektorin e sigurisë së lartë dhe me ndihmën e oficerëve të burgut janë dërguar në dhomat e paraburgimit.
Më pas mjetet prerëse janë mbajtur në dhomën e Dan Hutrës, i dënuar me 25 vite burg për masakrimin e gruas së tij.
Parandalohet arratisja nga burgu
Parandalohet një tjetër skenar arratisje nga burgu i Drenovës në Korçë. Burime nga burgu i sigurisë së lartë, bëjnë me dije se në sektorin e paraburgimit, janë gjetur 4 sharra hekuri.
Mjetet prerëse u gjetën rreth orës 23:00 gjatë kontrollit të ushtruar nga grupi i kontrollit i mbërritur nga Tirana, i cili kaloi në veprim pas informacioneve të SHKB-së së burgjeve për mundësinë e organizimit të një tjetër arratisje.
Dyshimi përforcohet edhe më tepër në kushtet kur sharrat u gjetën në qelitë e të burgosurve të cilët ndihmuan në arratisjen e bujshme të nëntorit. Krahas sharrave, mësohet gjithashtu se në qeli u gjetën dhe 2 aparate celularë.
“Më dt. 10.01.2014, ora 21:00- 23:00, grupi i DAP-it ka kryer një kontroll në IEVP Drenovë, Korçë, nga ku ka rezultuar gjetja e sendeve të ndaluara. Nga kontrolli i ushtruar në regjimin e brendshëm të të dënuarve në sektorin e sigurisë së lartë dhe sektorin e paraburgimit, grupi i Transferim- Shoqërimeve dhe Sigurisë (DAP) të D.P.B, nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, z. Pal Marku, janë gjetur dy telefona celularë, që i përkisnin të dënuarve Durim Leka dhe Almarin Muça.
Gjithashtu, nga kontrolli në sektorin e paraburgimit u gjetën katër fletë sharre të fshehura në një kuti shahu, që i përkisnin shtetasve Olsian Maçi, Albi Maçini, Ervis Lami e Daniel Kambellari. Për të dyja rastet u përpilua raport- shërbimi, u mor masa disiplinore e veçimit, si dhe u njoftua Prokuroria e Korçës. Për këtë ngjarje kanë nisur tashmë hetimet dhe media e publiku do të informohen në vazhdimësi” informoi përmes një njoftimi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në nëntor të këtij viti 7 të burgosur me në krye Admir Tafilin u arratisën nga burgu i Drenovës, për tu arrestuar më pas policia.
SHEKULLI
Add new comment