Tahiri: Shumë shpejt ata që çirren do shohin të tjera rezultate

“Medalje në gjoksin e të gjithë strukturave të policisë”.
Kështu e ka vlerësuar ministri Brendshëm, Saimir Tahiri, kapjen e të shumëkërkuarit Ilir Kupa, pas arratisjes spektakolare nga burgu i Trikalasë, së bashku me 10 shqiptarë të tjerë që vuanin dënimin në qelitë e burgut të shtetit helen.
Tahiri tha se Kupa krahas veprave penale në Greqi po hetohet edhe lidhur me grabitjet e fundit me armë të ndodhura në vendin tonë.
“Unë besoj që arrestimi i Ilir Kupës është një medalje në gjoksin e Policisë së Shtetit, Policisë së Tiranës, FNSH-së, forcave RENEA, të gjithë ne. Keni dijeni për karrierën kriminale të Kupës, atë që ka ndodhur në Greqi, ndjekjen e vazhdueshme të policisë greke. Përtej shkëmbimit të informacionit në lidhje me atë që ka bërë dhe bashkëpunimit me policinë greke, kemi hetuar dhe çështje që kanë qenë goxha sensitive në Shqipëri. Hetimet vazhdojnë lidhur dhe me grabitje me armë, që besoj se me arrestimin e Kupës do na çojnë në rrugë të mbarë. Aksioni vazhdon dhe tani që flasim dhe besoj se do ketë arritje të tjera. Ne jemi të vendosur për të luftuar krimin në çdo skutë, siç jemi shumë të vendosur që edhe ndaj atyre që e nxisin apo e provojnë të bëjmë atë që duhet”, tha ai.
“Policia e Shtetit është në këmbë dhe shumë shpejt rezultatet do flasin akoma më fort, sesa zëri i të gjithë atyre që çirren sot duke majisur panik tek qytetarët. Shumë shpejt do merrni vesh”, deklaroi Tahiri.
Tema
Add new comment