Mëhillaj vjen në Tiranë. Brenda 3 ditësh gjyq te Krimet e Rënda.

TIRANË - Arrestimi i Andon Mehillajt, sot në Vlorë, pritet të hedhë më tepër dritë mbi hetimet që po zhvillohen mbi të ashtuquajturin “Grupi i tritolit”.
Drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur se, Andon Mëhillaj do të transportohet nga Vlora në Tiranë, pasi ai është nën hetimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Me interes nga grupi i hetimit në Prokurorinë e Krimeve te Rënda, që po heton çështjen e “Grupit të tritolit” pritet dhe seanca me pyetje ndaj Mëhillajt.
Nga të njëjtat burime mësohet se, brenda tre ditësh, Mëhillaj do të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda per t’u njohur me masën e arrestit marrë në mungesë ndaj tij.
Andon Mëhillaj, dyshohet se është sekseri i të akuzuarit si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj. Ai ishte shpallur në kërkim prej disa ditësh, kur organet e rendit lajmëruan zbulimin dhe goditjen e te ashtuquajturit “Grupi i tritolit”. Në kërkim për këtë çështje, është aktualisht kushëriri i Andonit, Genis Mehillaj, që gjithashtu dyshohet si sekser i Julian Sinanajt.
I ashtuquajturi “Grupi i Tritolit”, akuzohet për një seri ngjarjesh të rënda kriminale, ndodhur vitet e fundit në vendin tone. Pjesë kryesore e këtij grupi besohet se është Julian Sinanaj, i cili akuzohet për disa vrasje me pagesë si dhe disa atentate me tritol.
Add new comment