Meta në “Jamais Vu”: Kurdo që të votohet, LSI merr më shumë se më 23 Qershor.

Intervista e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për emisionin “Jamais Vu” tëMustafa Nanos në televizionin “Ora News”.
Koncepti për politikën
Ju sapo dëgjuat disa thënie të njerëzve të njohur në periudha të ndryshme historike për politikën. Kishte aty ndonjë thënie që ju pëlqeu në mënyrë të veçantë?
Ishin thënie interesante, disa në momente depresioni, disa në momente dështimi, disa janë njëkohësisht në përputhje më shumë parime, që ne i kemi mësuar në shkollë. Siç ishte për shembull ajo që asnjë gjë nuk ndodh në mënyrë të rastësishme. Kemi mësuar që domosdoshmëria e çan rrugën nëpërmjet rastësisë. Duket sikur është rastësi, por në fakt ka qenë domosdoshmëri.
Ishte dhe një thënie tjetër të cilën unë e kisha përfshirë në 15 thëniet e para, sipas të cilës në politikë gjërat e vërteta janë ato që nuk thuhen. Është e vërtetë?
Asnjë nga ato që dëgjova nuk mund të them që është absolutisht e vërtetë. Gjithçka duhet vendosur në kontekstin e raportit me kohën, me momentin, me raportin e politikanit dhe një prej kandidatëve për president të SHBA-ve, që u citua këtu, i cili edhe ka humbur, natyrisht e ka thënë në një moment dëshpërimi. Në moment dëshpërimi njeriu zbraz diçka që publikut i pëlqen. Përse i pëlqen? Sepse gjithmonë pret më shumë nga politika sesa ajo jep.
Ky momenti politik që po jetoni është momenti juaj më i mirë në karrierë? Dukeni i relaksuar në krye të Kuvendit, dukeni më i shtruar dhe më keni befasuar me këtë sjellje tuajën. Duket sikur keni pasur një ndryshim të konsiderueshëm apo ky jeni ju gjithmonë?
Jam në përmirësim të vazhdueshëm, do të ishte përgjigja ime më e sinqertë në kuptimin se përpjekja ime për të dhënë një mesazh konstruktiv, për të vendosur një komunikim ndryshme me të gjithë aktorët politikë apo edhe me opinionin publik, është rezultat i një eksperience dhe i mësimeve që unë kam nxjerrë nga e kaluara dhe ky nuk është një pozicion thjesht që ka të bëjë me rolin qoftë edhe të Kryetarit të Kuvendit. Përkundrazi, ky është një pozicion që edhe unë si individ, por edhe LSI-ja si forcë politike, kam përgatitur prej kohësh. Mund t’iu them që ne kemi bërë një fushatë tepër konstruktive para zgjedhjeve të 23 qershorit, mjaft pozitive me mesazhe tepër të qarta dhe me propozime larg atij stilit agresive të fushatave tona tradicionalisht.
Add new comment