Greqia mbështet Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat në qershor

Postuar në 03 Mars, 2014 06:03

Në kuadër të një vizite dy ditore të zhvilluar në Greqi, zv.Ministrja e Mjedisit, Olijana Ifti ka marrë garancinë e shtetit grek për mbështetjen e Shqipërisë në përpjekjet për marrjen e statusit kandidat në muajn qershor.

Gjatë vizitës në Athinë,  Ifti është takuar me Zv.Kryetarin e Kuvendit të Greqisë, Joanis Tragakis, i cili edhe si antar i globit për mjedisin ka ofruar bashkëpunimin dhe mbështetjen e tij në të gjitha fushat dhe projektet e përbashkëta që kanë të bëjnë me mjedisin.

Gjithashtu, Zv.ministrja, zhvilloi një takim edhe me Ministrin e Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimeve Klimaterike të Greqisë, Janis Manjatis. Gjatë takimit u diskutua rreth forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke në fushën e mjedisit dhe më gjerë. Kryesisht diskutimet u fokusuan në zhvillimin e prioriteteve të përbashkëta në fushën e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, Ujërave si dhe shkëmbimin e eksperiencës mbi Auditimin Mjedisor.

Zv.Ministrja shqiptare, pasi bëri një pasqyrë të situatës aktuale, mjedisore në Shqipëri dhe prezantimit të prioriteteve të Ministrisë së Mjedisit në politikat mjedisore, e vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit dhe nxitjen e projekteve të përbashkëta për ruajtjen e ekosistemit mjedisor kryesisht në zonat e mbrojtura ndërkufitare. Gjithashtu shkëmbimi i eksperiencës dhe rritja e kapaciteteve në kuadër të legjislacionit mjedisor kishin një vëmendje të veçantë gjatë diskutimeve.

Nga ana e tij Ministri grek, Manjatis shprehu gatishmërinë e tij personale dhe të institucionit që drejton për zhvillimin e një bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe konkret midis dy vendeve. Zonja Ifti në kuadër të vizitës dy ditore në Athinë, ka zhvilluar edhe një takim të veçantë me drejtues të sektorit privat në fushën e riciklimit në Greqi, nga ku u theksua dëshira dhe vullneti i të dyja palëve për bashkëpunim dhe shprehën qartazi interesin për investime në fushën e riciklimit. Gjatë takimeve zëvendësministrja Ifti, shoqërohej nga Ambasadori i Shqipërisë në Greqi Dashnor Dervishi si edhe Drejtori i Politikave Mjedisore në Ministrine e Mjedisit, Redi Baduni.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.