Marrëveshja me FMN, Ahmetaj: Asnjë detyrim për rritjen e çmimit të energjisë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj thekson se qeveria shqiptare nuk ka asnjë detyrim brenda marrëveshjes me FMN-në për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në një deklaratë për mediat, ministri Ahmetaj theksoi seajo që do të bëjë “qeveria Rama” është mbrojtja e familjeve shqiptare. “Do të kujdesemi që xhepi i familjeve shqiptare të mos pësojë asnjë goditje” u shpreh ministri Ahmetaj.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij i mëshon faktit që qeveria duhet të përqendrohet në përmirësimin e arkëtimeve për energjinë që faturohet, si dhe duhet të ulen vjedhjet. Sipas FMN-së, orientimi kryesor duhet të jetë drejt bërjes së sektorit të qëndrueshëm dhe likuid. Për këtë sakrifica duhet të shtrihet edhe te subvencionimi që sot qeveria i bën energjisë.
“Masat për zbutjen e risqeve fiskale në terma afatshkurtër përfshijnë limitimin e çmimeve të subvencionuara vetëm për konsumatorët me të ardhura të ulëta dhe duhet të mos jenë pjesë e kësaj përdoruesit për qëllime tregtare”, thuhet në linja të përgjithshme në raportin e FMN-së. Sipas kësaj të fundit, qeveria duhet të tregohet aktive për të tërhequr më shumë investitorë në shpërndarje, i cili aktualisht është edhe pjesa më e dobët e sistemit.
Add new comment