Ligjet miratojnë kredinë për rrugën Tiranë-Elbasan-Qafë Plloçë.

Me konsensus, anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratuan projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafë e Plloçës”.Në emër të Ministrisë së Financave, znj. Tole u shpreh se qëllimi i miratimit të kësaj marrëveshjeje është zhvillimi i financimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafë Pllocë.
“Në fakt projekti i paraqitur i shërben pikërisht segmentit Qukës- Qafë Pllocë dhe seksionit të tretë të kësaj rruge për financimin dhe plotësimin e këtij financimi. Ky projekt i rëndësishëm për seksionin e parë dhe të dytë ka siguruar financimin nga Banka Islamike për Zhvillim, IDB, në shumën 125 milionë dollarë dhe tashmë është seksioni i tretë për t’u siguruar financimi, paraqitur tashmë me marrëveshjen e huasë nga Fondi Saudit për Zhvillim. Ministria e Financave ka vlerësuar termat dhe kushtet e kësaj kredie që janë të buta , me një maturitet të lartë 25 vjet dhe me normë interesi 2 për qind”, tha përfaqësuesja e Qeverisë.
Projekti i ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë e Plloçë-s, pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë (Korridori VIII) konsiston në ndërtimin e një segmenti rrugor prej 43,4 km të gjatë,që do të kalojë ndërmjet Qarkut të Elbasanit dhe atij të Korçës e që së bashku me ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan do të sigurojë një lidhje më të shpejtë dhe komode midis portit të Durrësit e vendeve të tjera të Ballkanit, si Maqedonia, Greqia, Bullgaria, Turqia etj, duke e bërë Shqipërinë vendin më të përshtatshëm për të kryer tranzitin nga vendet e Ballkanit drejt Evropës dhe anasjelltas.
Kjo rrugë shërben, gjithashtu, si një bypass për qytetin e Pogradecit, një nga kryeqendrat turistike të Shqipërisë Juglindore, duke shmangur kështu ndotjen e qytetit dhe liqenit të tij si pasojë e tranzitit të mjeteve të rënda, gjë e cila do të rrisë komoditetin turistik në këtë rajon e ,për pasojë, do të sjellë rritjen e numrit të turistëve.
Për sa i përket zhvillimit lokal mund të themi se kjo rrugë që kalon në zonën e Mokrës dhe krijon akses me tregjet e Korçës, Pogradecit, Librazhdit, Elbasanit apo edhe më gjerë do të sjellë investime të reja në bujqësi,rritje të konsiderueshme të prodhimit vendas e, për pasojë,ulje të konsiderueshme të papunësisë.
Add new comment