Aksioni në Lazarat, reagon PD “Jo luftë për drogën, por tregun”

Më në fund ka reaguar edhe Partia Demokratike për akzionin që po zhvillohet në Lazarat. Në një deklaratë të PD-së theksohet se kjo parti është dhe mbetet, mbështet dhe do të mbështesë çdo vendim dhe aksion kundër narko-trafikut.
“Ne mbështesim forcat e policisë në aksionet e tyre, sikundër u bëjmë thirrje qytetarëve të distancohen nga elementët me precedentë kriminalë. Çdo sulm ndaj policisë është goditje ndaj shtetit. Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë luftën kundër trafikut por ne i bëjmë thirrje profesionistëve të mbetur në polici të ruajnë jetët e qytetarëve dhe punonjësve të rendit dhe të ndalin çdo veprim që ushtron terror psikologjik ndaj popullatës civile” theksohet në deklaratën e PD-së.
Pavarësisht kësaj opozita nuk i lë akuzat për qeverinë dhe thotë se narkotrafikantët e punësuar në zyrat e shtetit nuk mund ta luftojnë drogën.
“Ne nuk presim që këtë kujdes ta bëjë Rama dhe Tahiri, pasi atyre nuk u intereson jeta e banorëve dhe e policëve. Pseudofushata e Ramës dhe Tahirit, është një pozicionim taktik – t’ia hedhim botës – me karakter propagandistik dhe selektiv. Narkotrafikantët e punësuar në zyrat e shtetit nuk mund ta luftojnë drogën. Ata mund të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, por kjo nuk është luftë ndaj drogës, por luftë për kapjen e tregut” theksohet në deklaratën e PD-së.
Add new comment