U gjenden 507 kg marijuanë në gomone, pranga 2 shqiptarëve.

Postuar në 31 Gusht, 2014 14:34

Një sasi prej 507 kilogramë marijuanë që vinte nga Shqipëria është kapur dhe sekuestruar në Itali ditën e sotme. Lënda narkotike e cila kapte vlerën e 5 milionë eurove, po transportohej me një gomone 6 metra e gjatë. Guardia di Finanza italiane ka bërë të mundur evidentimin, ndjekjen dhe kapjen e gomones me mbi gjysmë kuintali marijuanë në bord që po drejtohej me shpejtësi të madhe drejt brigjeve të Italisë. Gjatë operacionit u kapën nga autoritetet italiane dhe dy skafistët që drejtonin mjetin lundrues.
 
Reparti operativ aeronaval i Barit ka bërë të mundur arrestimin e dy shtetasve shqiptarë D. E., 37 vjeç dhe S. J., 32 vjeç. Të dy të arrestuarit janë ndjekur për një distancë të gjatë në ujërat e Adriatikut dhe gjatë kohës që po mundoheshin të arratiseshin, sipas Guardia di Finanza, po mundoheshin të hidhnin në det një pjesë të drogës që kishin në bordin e gomones. Ndjekjes së gomones, përveçse motovedetave italiane, u janë bashkangjitur edhe helikopterë të Guardia di Finanza.
 
Gomonia e ndaluar, mbi 6 metra e gjatë, dhe e pajisur me një motorr potent, është shoqëruar drejt portit të Brindizit. Droga e sekuestruar, gati 507 kg, është e tipit marijuanë dhe mendohet se nëse do të arrinte tregun italian do t’u sillte trafikantëve një fitim prej gati 5 milionë eurosh. Edhe “Il Quotidiano Italiano” shkruan për trafikun e drogës nga Shqipëria

Lidhur me trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali ka shkruar edhe një “Il Quotidiano Italiano”. Përpos tentativave qeveritare, e jo vetëm, në vendin tonë për dhënien fund të kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, sipas mediave italiane gati çdo natë në brigjet e Puglias zbarkojnë me gomone sasi të konsiderueshme marijuanë me origjinë nga Shqipëria. Sipas “Il Quotidiano Italiano” trafiku i marijuanës drejt Italisë është aq shumë masiv sa që konsiderohet, sipas kësaj gazete, si fitimprurës “për shqiptarët” dhe qeveria e vendit tonë “mbyll një sy” gati duke u shtirur sikur ky trafik nuk ekziston.
 
Gazetarja Monica Arcadio i referohet edhe rastit të Lazaratit, por thotë se kjo ndërhyrje nuk është e mjaftueshme.
 
Sipas “Il Quotidiano Italiano”, aksionet andidrogë në Shqipëri, vijnë pasi vendi po tenton me të gjitha mënyrat të integrohet në Bashkimin Europian dhe një nga strategjitë konsiston në ndërtimin e imazhit si një vend që po lufton për t’u pastruar nga trafiqet ilegale dhe korrupsioni në polici.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.