Përkthyesi i Kadaresë, një libër për përkthimin

‘Particular Books’, një shtëpi botuese angleze ka hedhur në treg një libër të përkthyesit të Kadaresë, David Bellos. Libri titullohet ‘Is That a Fish in Your Ear?: Translation and the Meaning of Everything’ dhe, sipas revistës the Economist nuk është një libër rreth përkthimit letrar, por rreth të gjitha llojeve të përkthimeve, rëndësisë së panjohur të kësaj mjeshtërie. Libri fillon me një pyetje në dukje të thjeshtë: Çfarë është përkthimi? Çfarë bëjnë përkthyesit? Çfarë na tregon aftësia e tyre për shoqëritë njerëzore? Si lidhen faktet e përkthimit me gjuhën në përgjithësi? Siç del në fund, asnjë prej këtyre pyetjeve nuk ka një përgjigje të qartë: nuancat e përkthimit dhe pritshmëritë intelektuale që i mvishen përkthimit janë, me sa duket, të pafundme. Këtyre pyetjeve i shtohet një tjetër edhe më therëse: si do t’ia bënim pa përkthimin? Përgjigja e tij është po, ne do t’ia dilnim edhe pa të. Sipas tij, për shumë shekuj, madje mijëvjeçarë, bota ia doli mbanë edhe pa përkthimin: njerëzit e kombeve të ndryshme, thjesht, mësuan mjaftueshëm nga gjuha e fqinjit sa për të komunikuar. Marko Polo, vazhdon Bellos, përdorte një përzierje gjuhësh për të përshkruar udhëtimet e tij, ndoshta pa kuptuar se shumë prej tyre ishin “të huaja”.
Skeda e librit: Is That a Fish in Your Ear?: Translation and the Meaning of Everything. Nga David Bellos. Botues: Particular Books; 400 pages; $20. Botohet në Amerikë në tetor nga Faber & Faber; $26.
L.A.
Add new comment