Protokolli i Shtetit e Bashkia e Lezhës “ia bëjnë tetë me dy” Presidentit

Postuar në 05 Mars, 2012 03:37

Protokolli i shtetit është përpjekur të hedhë dritë mbi atë që ka ndodhur në Lezhë tri ditë më parë, kur u përkujtua përvjetori i Kuvendit të Lezhës. Dhe në thelb ka thënë se është dorëjashtë në gjithë këtë histori, pasi “aktiviteti i mbajtur ishte ideuar, organizuar dhe menaxhuar nga Bashkia e qytetit Lezhë. Lista e pjesëmarrësve, ftesat dhe lista e folësve janë bërë dhe menaxhuar nga organizatorët dhe nuk ka pasur të bëjë aspak me Protokollin e Shtetit”.
Po kështu ka vepruar dhe bashkia e Lezhës. Kryetari i saj, Viktor Tusha, ka garantuar në një intervistë për Panoramën se ka pasur ftesë për të gjithë autoritetet, dhe është e padrejtë që konfliktet e ngërçet që ka presidenca me kryeministrinë e me kryesinë e parlamentit t’i shkarkohen bashkisë së Lezhës.
Bie në sy që të dyja këto institucione (Protokolli i Shtetit e Bashkia e Lezhës), më shumë se sa të të ndriçojnë ngjarjen, synojnë të përgënjeshtrojnë kreun e shtetit. Bie në sy, gjithashtu, që Protokolli i Shtetit kuturis ta bëjë me dije presidentin faqe botës e me tone qortuese se “ky është një rast i përsëritur”, dhe se nuk është mirë që Protokolli i Shtetit të përfshihet në “diskutime mediatike dhe politike për gjëra që janë jashtë detyrave të tij të përcaktuara me ligj”.
Ndërsa reagimi i kryebashkiakut të Lezhës është i një niveli parashtetëror. Ai nuk thotë në asnjë rast “presidenti”, apo “kreu i shtetit”, por i referohet këtij të fundit gjatë gjithë kohës si “zoti Topi”, e sikur të mos mjaftojë kjo, ka kurajon t’i thotë presidentit, se “duhet të kish kurajon t’i bashkohej Lidhjes së Lezhës” (sipas Panoramës).
Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.