Identifikimi elektronik i votuesve – zgjidhje përfundimtare e problemit të votimit familjar?

Në të gjitha raportet e OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet në Shqipëri, është ngritur problemi i votimit familjar në zonat rurale, ku i pari i fisit voton për të gjithë anëtarët e fisit, pavarësisht se disa prej tyre mund të mos jenë fare në Shqipëri ditën e votimit.
Për të adresuar këtë problem, Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore do të diskutojë dhe miratojë sot ndryshimet në 3 kapituj të Kodit Zgjedhor, ku parashikohet mes të tjerave dhe përdorimi për herë të parë në zgjedhjet shqiptare i një sistemit të integruar elektronik për verifikimin e kartave elktronike të identifikimit, pjesë e të cilit do të jenë pajisjet e veçanta që do të shpërndahen në çdo qendër votimi rrjeti i transmetimit të të dhënave për në KQZ dhe serverat e përpunimit të të dhënave. Për shkak se kjo teknologji përdoret për herë të parë, ekspertët në draftin e hartuar kanë parashikuar çdo detaj, ku mes të cilave edhe rastet kur nuk funksionon rrjeti apo nuk punon aparatura e identifikimit. Për rastin e mosfunksionimit të aparaturës, parashikohet dhe verifikimi i kartave në mënyrë manuale, ku për çdo votues merren të dhënat e dukshme të saj, të cilat regjistrohen në një regjistër të veçantë (një kopje të draftit të amendamenteve të Kodit Zgjedhor mund ta lexoni të plotë më poshtë).
Një sistem i tillë verifikimi, në qoftë se funksionon rregullisht, mund të eliminojë raste si ato në komunën Dajç të Lezhës, ku në listën e zgjedhësve u plotësuan firma të votuesve që ishin jashtë Shqipërisë (http://www.respublica.al/artikuj/2012/3/13/ne-8-maj-ne-dajc-te-pakten-235-e-votave-fiktive). Sidoqoftë, ky sistem nuk eviton rastet kur djali emigrant i dërgon kartën e identitetit babait të tij në Shqipëri dhe ky i fundit voton në emër të djalit. Për të evituar raste të tilla, do të duheshin paisje që i identifikojnë votuesit me shenjën e gishtit, jo me kartën e identitetit. Një sistem i tillë është i mundur teknikisht, por, praktikisht, mund të jetë një torturë proceduriale.
E.Zaloshnja
Amendamentet
Kreu I
Përdorimi i Teknologjisë
Neni 100/1
Sistemi elektronik i integruar për verifikimin dhe regjistrimin e zgjedhësit (Sistemi elektronik integruar)
1.Me qëllim verifikimin dhe regjistrimin e pjesëmarrjes së zgjedhësve në ditën e votimit ngrihet sistemi elektronik i integruar për verifikimin dhe regjistrimin e pjesëmarrjes së zgjedhësve në votim. Zgjidhja teknike duhet të integrojë te gjithë elementet e nevojshme, përfshirë pajisjet, programet, licensat ose certifikatat përkatëse, për të garantuar siguri dhe thjeshtësi në përdorim. Karakteristikat teknike të sistemit, pajisjeve dhe procedurat e funksionimit të teknologjisë, përcaktohen me akt normativ të KQZ-së.
2. Sistemi elektronik i integruar SEI përbëhet nga:
a) njësia qendrore informatike e instaluar në KQZ;
b) tërësia e pajisjeve të leximit elektronik të përmbajtjes të dokumentit të identifikimit që përdoret në QV;
c) çdo pajisje teknike apo program që lidhet me to; dhe
ç) rrjeti i sigurt i transmetimit të të dhënave.
3. Pajisja që përdoret në QV, funksionon në mënyrë të pavarur nga njësia qendrore, duke lexuar përmbajtjen e dokumentit të identitetit elektronik dhe si rregull duke transmetuar atë nëpërmjet rrjetit transmetimit të sigurt në njësinë qendrore pranë KQZ-së. Kriteret teknike dhe procedurat përcaktohen në aktin normativ të KQZ-së.
4. Pajisja që përdoret në QV lexon dhe regjistron automatikisht informacionin që ndodhet në qarkun me kontakt dhe/ose pa kontakt të dokumentit të identifikimit. Të dhënat që lexohen dhe transmetohen janë emri, mbiemri, datëlindja, numri i identifikimit personal dhe numri dokumentit të identifikimit.
Neni 100/2
Përpunimi i të dhënave, raportet dhe administrimi i sistemit
Menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit në të gjithë vendin dhe bazuar në të dhënat e regjistruara dhe transmetuara nga pajisjet e përdorura në QV, njësia qendrore informatike mundëson raporte përmbledhëse mbi pjesëmarrjen në procesin e votimit, të ndara për çdo qendër votimi. Formati i raportimit përcaktohet në aktin normativ të KQZ-së.
Aksesi në njësinë qendrore është i lejuar vetëm për personelin teknik të autorizuar, auditët e KQZ-së. Auditët e KQZ kanë të drejta të plota për të kontrolluar çdo veprim të kryer në sistem, hedhjen e çdo të dhëne nga kujtesa elektronike e secilës pajisje të leximit të përdorur në QV në sistemin qendror pranë KQZ-së, përfshirë dhe metodologjinë e gjenerimit të raporteve të parashikuara në këtë nen. KQZ, me të paktën 5 vota të anëtarëve të saj, miraton rregulloren për administrimin e SEI dhe rregullat për të drejtat e hyrjes në sistem nga personat e përcaktuar në këtë pikë.
Përveç auditëve të emëruar sipas neni 62 të Kodit, KQZ mund të përzgjedhë një shoqëri për auditimin e jashtëm të sigurisë dhe funksionimit të sistemit.
Të dhënat e përpunuara në sistem gjatë ditës së votimit, çdo raport i gjeneruar dhe të dhënat e hedhura nga pajisjet në KQZ pas përfundimit të votimit, ruhen në KQZ për një periudhë 6 mujore nga data e zgjedhjeve dhe i nënshtrohen auditimit të plotë nga ana e KQZ-së menjëherë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar. Auditët paraqesin një raport përfundimtar në KQZ për auditimin e kryer brenda 1 muaji nga shpallja e rezultatit përfundimtar. Nëse gjatë auditimit dalin të dhëna për ndërhyrje të paligjshme në sistem, në bazën e të dhënave dhe/ose për votim më shumë se një herë, KQZ është e detyruar të bëjë kallëzim penal. Të dhënat e përpunuara dhe të ruajtura në sistem trajtohen sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 100/3
Përdorimi i pajisjeve të leximit në QV dhe personeli
Çdo qendër votimi duhet të jetë e pajisur me pajisjen e leximit elektronik të dokumentit të identifikimit, e cila si rregull duhet të komunikojë nëpërmjet rrjetit me sistemin qendror informatik të instaluar në KQZ. Bëjnë përjashtim QV-të ku komunikimi i pajisjeve me njësinë qendrore informatike është i pamundur për mungesë të mbulimit në rrjet, të përcaktuar me vendim të veçantë të KQZ-së, jo më vonë se 30 ditë përpara ditës së votimit. Në çdo rast, pajisja e leximit përdoret në çdo qendër votimi.
Nëse pajisja, për arsye objektive, nuk është e lidhur në rrjet, shkëputet nga rrjeti apo nuk transmeton të dhëna të plota në ditën e votimit, të dhënat e plota për votimin në QV-të përkatëse, nxirren nga memoria elektronike e pajisjes, duke i hedhur ato në sistemin qendror menjëherë pas mbërritjes së tyre në KQZ-së.
Nëse pajisja nuk funksionon, votimi zhvillohet pa ndërprerje sipas procedurave të nenit 105, duke shënuar në listën e zgjedhësve të QV-së numrin e dokumentit të identifikimit. Ky fakt shënohet në librin e protokollit të QV-së si dhe njoftohet KZAZ-ja përkatëse, e cila duhet ta pasqyrojë këtë fakt në librin e protokollit. Kur pajisja rivihet në punë, procesi vazhdon duke përdorur pajisjen për verifikimin dhe regjistrimin e pjesëmarrjes së zgjedhësve. Procedurat e komunikimit, zëvendësimit dhe raportimit sipas kësaj pike, përcaktohen në aktin normativ të KQZ-së.
Pajisjet administrohen dhe përdoren vetëm nga personeli i specializuar dhe i autorizuar i KQZ-së. Në përfundim të votimit, pajisjet dërgohen në KQZ. Mospërputhja e të dhënave të transmetuara në SEI nuk përbën shkak për ankim sipas Pjesës X të këtij Kodi.
Comments
Z. Zaloshnja ! Ja disa

Z. Zaloshnja ! Ja disa probleme !

1-Sistemi do te verifikoje leter njoftimet, jo votuesin. Bashkefshatari im mer te gjithe leter njoftimet e familjes dhe te fisit dhe voton per ta. Se ne ate fshat keshtu eshte bere dhe keshtu do te behet prape. Atje ka konsensus maksimal midis komisionereve dhe kjo gje atje lejohet. Emigranti nuk e mer leter njoftimin me vete, mer pasaporten. Keshtu qe edhe per te mund te votohet ne ate fshat.

2-Me duket se jane rreth 8 mije qendra votimi.Pra po kaq duhen dhe specialiste te aparatures. Kush do t'ja rekomandoje firmes keta njerez?PD-ja. E mendon bllokimin total te sistemit? Po kushtet e injorances, ( shembulli i injoranteve te PS, me stilolapsat per filmim) ?

3-Ne se nuk punon aparatura, te dhenat e kartes shenohen ne nje fomular. Po shkruajme nja 30 leternjoftime ,kot me kot, po s'u kap mire. Po dhe po u kap, cfare do te ndodhe? Ata te partise thone: " Jepi, sa te jemi ne asgje nuk te gjen". Dhe po u be buje,perseri zgjedhjet nuk kthehen.

Grupi i perhershem per manipulimin e zgjedhjeve ne PD, po punon per te gjetur hilet. Ne PS, nuk ka dhe nuk ka patur asnjehere grup per mos lejimin e manipulimeve. Vetem kur ndodh vjedhja thone te gjithe.Ou, si na vodhen prape..!?

Respekte, Zoti Zaloshnja !

Add new comment