Military Games!

Më 6 korrik 2005 u vendos që Lojërat Olimpike 2012 të mbahen në Londër. Gëzimi ishte i madh por vetëm një ditë më vonë, Londra u trondit nga sulmet terroriste të 7 korrikut. Bombat në tri stacione hekurudhore dhe në një autobus vranë 52 persona dhe plagosën mbi 700 të tjerë.
Ekspertët mendojnë se këto Lojëra Olimpike (27 korrik-12 gusht) janë një objektiv perfekt për sulme terroriste ndaj nevojitet siguri në ajër, tokë, nëntokë, në ujë… Dhe sot, një javë para fillimit të Lojërave Olimpike "Londra 2012", kryeqyteti britanik i ngjan një qyteti nën rregjim ushtarak. Avionë në gjendje gatishmërie, raketa tokë-ajër të vendosura në godina të larta, marina patrullon lumin Themse; 17 mijë policët nuk mjaftojnë. Mbi 40 mijë ushtarë kanë dalë nga kazermat në rrugë (23.700 kanë hyrë në veprim që tani, 13.500 të tjerë do angazhohen gjatë Lojërave dhe 3500 do jenë drejtpërdrejt krah policëve. Vizitorët duhet të kalojnë masa të rrepta sigurie në aeroporte; prej atje do të dërgohen direkt në stadiume. Londinezët janë paralajmëruar për vonesa të mëdha në trafikun e qytetit, shumë firma u kanë dhënë leje punëtorëve të vet me banim të largët që të mos vijnë në punë. Kostot e masave të sigurisë për Lojrat Olimpike, Londër 2012 (edhe një ekip shqiptar i përbërë nga 11 sportistë është nisur këtë të mërkurë drejt Londrës) kalojnë shifrën prej 1,25 miliardë euro, - raporton shtypi britanik.
Sport dhe terrorizëm... Kënaqësi dhe frikë… Në çfarë bote jetojmë… (A.N)
Add new comment