EULEX hedh dyshime se “anëtarët e LDK-së janë vrarë për motive politike”

Në shtypin e sotëm kosovar flitet për një hetim të strukturave të Eulex-it mbi vrasjet e ekzekutimet e kryera në Kosovë pas luftës, dhe në raportimet e bëra thuhet se Eulex-i hedh dyshime që dhjetëra anëtarë të LDK-së janë vrarë vetëm pse ishin kundërshtarë të PDK-së. Ja çfarë thuhet në website-in telegrafi.com:
“Njësia për hetimin e krimit të organizuar e Policisë së EULEX-it ka renditur dhjetëra raste të vrasjeve prej Xhemajl Mustafës e deri tek ajo e Shaban Manajt, të cilat i ka konsideruar si krime të motivuara politikisht. Prapa këtyre vrasjeve, vrasjeve në tentativë, rrahjeve e kidnapimeve, sipas hetuesve, qëndron një organizatë e mirëfilltë e financuar mirë.
Ky raport i nënshkruar nga hetuesi Gary Fainsworth, që ka të bëjë me hetimet e krimeve të ndryshme, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”, thekson se më 3 tetor 2011 është lëshuar një “dokument i klasifikuar” me qëllim të shqyrtimit të tipit të vrasjeve profesionale dhe veprat penale të ndërlidhura me to, që janë kryer ndërmjet 1999 dhe 2001, të personave me lidhje të njohura ose me ish-regjimin serb apo me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në raport renditet si rasti i parë me motive politike ai i vrasjes në tentativë të anëtarit të LDK-së, Ismet Arifi, që kishte ndodhur më 3 nëntor 1999. Për këtë rast po gjykohet grupi i Bllacës.
EULEX përmend emrat e personave të vrarë dhe të atyre ndaj të cilëve ishte bërë përpjeke të vriteshin. Në mesin e të vrarëve ka edhe të atillë që thuhet se nuk kishin qenë anëtar të ndonjë partie politike, por që kishin më shumë simpati ndaj Rugovës.
Ismet Arifi-vrasje në tentativë-3 nëntor 1999; Selim Broshaj-i vrarë- 14 shtator 2000; Besim Dajaku-i vrarë- 19 tetor 2001; Nezir Gara-sulm i rëndë fizik- 25 shtator 1999; Sali Gashi-vrasje-15 qershor 1999; Gani Geci-vrasje në tentativë-19 tetor 2001; Haki Imer-vrasje-2 nëntor 1999; Ajet Istogu-vrasje-17 janar 2000; Bekim Kastrati-vrasje-19 tetor 1999; Ibush Kllokoqi-vrasje-6 gusht 1999; Adem Lahi-vrasje-21 qershor 1999; Adem Salihaj-vrasje në tentativë-12 qershor 2000; Agim Veliu-vrasje në tentativë-1 gusht 2000; Ejup Visoka-vrasje në tentativë-30 nëntor 2000; Tahir Zemaj-vrasje- 4 janar 2003; Faruk Behramaj-vrasje në tentativë- 1 prill 2003.“
Add new comment