Dje vdiq Gore Vidal, intelektuali maverick i Amerikës

Dje ka vdekur Gore Vidal, intelektuali amerikan par ecxellence. Të gjitha gazetat më të rëndësishme të botës i bënin jehonë sot kësaj ngjarjeje. Në Shqipëri ai njihet pak (vetëm nëpërmjet romanit historik Washington, DC), por në pjesën tjetër të botës njihet mirë. Një personazh i tillë (‘mizëkali’ e quante sot gjysmë me dashamirësi, gjysmë me cinizëm Michael Durda në të përditshmen Washington Post), nuk mund të kalonte pa u vënë re. “Ai e shpenzoi jetën – dhe duhet thënë, se pati alamet jete – duke e sfiduar pushtetin, e jo duke e ushtruar atë”, thosh Hillel Italie. Ndërsa Charles McGrath i NYT-it shkruante, se “Vidali ishte, në fund të jetës së tij, çfarë ai besonte vetë se ishte, e ndoshta me të drejtë, dmth i fundmi i një race”.
E filloi duke shkruar romanin ‘The City and the Pillar’, në vitin 1948; ish një roman, i cili tronditi Amerikën puritane të pas Luftës së Dytë Botërore, sepse një nga personazhet e librit ish gay (vetë Vidali pati shumë lidhje dashurie, me gra e me burra). Dhe më pas, bëri dramaturgun, komentatorin politik, aktivistin politik, eseistin e intelektualin publik antikonformist. Së fundmi, ka qenë shumë kritik jo vetëm ndaj presidentëve të veçantë, sidozot George W. Bush, por edhe ndaj SHBA-ve në përgjithësi, më saktë ndaj rolit që SHBA-të po luajnë në botën e sotme, ndaj interesit për të shfrytëzuar naftën e Azisë qendrore, ndaj strategjisë për të eksportuar demokracinë, ndaj luftrave të fundit. Arriti të shkruante se “atentatet e 11 shtatorit, të parashikuara nga shërbimet sekrete, përligjën projektet e pushtimit të Afganistanit”.
E.G.
Add new comment