Ndërpritet ëndërra e D. Suxhos për medalje me skuadrën amerikane

Deri para pak minutash kish pak, fare pak, Shqipëri në Olimpiadën e Londrës. Nuk e ka më. Skuadra amerikane e volejbollit u mund nga italianët, dhe kështu Donald Suxhos, shqiptaro-amerikanit, apo – siç e kanë zakon të përkufizojnë amerikanët në rrethana të tilla – amerikanit të lindur në Shqipëri, do t’i duhet të kthehet në shtëpi.
Shtypi shqiptar ka folur pak këto ditë për 36 vjeçarin nga Korça, por ai ka qenë ylli i skuadrës së vet, gjë që është pohuar dhe nga faqet sportive të shtypit amerikan. Volejbolli nuk është një sport shumë popullor në SHBA, por skuadra e Suxhos nuk kaloi pa vëmendje. Në gazetën New York Times të para dy ditëve ishte një shkrim mbi familjen e Suxhos, dhe mbi lidhjen e tij me ukrainasen Eleni Gkortsaniouk (Suxho), të cilën e ka njohur në vitin 2005, ndërsa luante si profesionist në Greqi.
Ndeshja e sotme me Italinë shënon dhe fundin e karrierës olimpike të Suxhos. Në olimpiadën tjetër, atë të Brazilit, ai do të jetë 40 vjeç, e me shumë gjasë, nuk do të jetë më në skuadrën kombëtare të SHBA-ve.
Re.Pu.
Add new comment